BIK-u merr përsipër kryerjen e shërbimeve funerale, të hënën protestojnë kompanitë funerale në Prishtinë

by admin
Spread the love

Kompanitë funerale kanë paralajmëruar protestë ndaj vendimit të Komunës së Prishtinës për t’i dhënë Bashkësisë Islame leje për kryerjen e shërbimeve funerale.

Përmes një komunikatë, kërkojnë shfuqizimin e marrëveshjes, pasi thonë se BIK nuk ka të drejtë të kryejë shërbime funerale në Komunën e Prishtinës, pasi që ekzistojnë 15 kompani privat të cilat kanë të drejtë ligjore me licencë për kryerjen e këtyre shërbimeve.

Protesta është paralajmëruar të hënën nga ora 12:00.

Siç thuhet në njoftim, protestuesit do të nisen nga Morgu i Spitalit të Qytetit të Prishtinës në drejtim të objektit të Komunës së vjetër të Prishtinës, ku aty do të shfaqen kërkesat e Kompanive dhe pas përfundimit të tyre do të vazhdohet në drejtim të Bashkësisë Islame të Kosovës (tek teatri Dodona), ku aty do të parashtrohen kërkesat e kompanive private të licencuara, e pastaj do të vazhdohet tek objekti tek varrezat e Qytetit të Prishtinës, ku përsëri aty do të mbahet protesta, duke i shfaqur kërkesat e kompanive.

“Gjithashtu do të njoftohet opinioni publik, me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, për ndalimin e kryerjes së shërbimeve funerale në Komunën e Prishtinës nga ana e Bashkësisë Islame të Prishtinës, pasi që e njëjta ka të drejtë të bëjë vetëm shërbime të faljes së kufomës e jo shërbime të tjera funerale”, thuhet tutje.

Kërkesat e kompanive funerale

Të shfuqizohet marrëveshja e arritur ndërmjet Komunës së Prishtinës dhe Bashkësisë Islame të Kosovës për kryerjen e shërbimeve funerale, pasi që Bashkësia Islame nuk ka të drejtë të kryejë shërbime funerale, pasi që në Komunën e Prishtinës ekzistojnë 15 kompani privat të cilat kanë të drejtë ligjore me licencë për kryerjen e këtyre shërbimeve.

Gjithashtu do të kërkohet nga Komuna e Prishtinës, për shfuqizimin e vendimit për dhënien në shfrytëzim të objektit tek varrezat e Qytetit të Prishtinës, për kryerjen e shërbimeve funerale për Bashkësinë Islame të Prishtinës, pasi që e njëjta është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe me vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Protesta thonë se do të jetë e qetë dhe pa ngjyrime politike, ku përgjegjësinë do të marrë organizatori i protestës.

Po ashtu theksohet se në protestë do të marrin pjesë të gjitha kompanitë licencuara private në Prishtinë për shërbimet funerale të cilat i përfaqëson, Blerim Nreci.

You may also like