Biden përballë sfidave të vështira lidhur me situatën në Rripin e Gazës

by admin
Spread the love

Para se të fillonte lufta Izrael-Hamas, objektivat e Presidentit Joe Biden për politikën e jashtme në Lindjen e Mesme ishin integrimi i mëtejshëm i Izraelit me fqinjët e tij arabë dhe frenimi i përpjekjeve të Iranit për të prodhuar armë bërthamore.

Këto synime tani mund të jenë në rrezik ndërsa ai përqendrohet në përpjekjet për të frenuar përhapjen e konfliktit Izrael-Hamas në vende të tjera të rajonit, që mbështeten nga Irani, si Libani, Jemeni dhe Siria.

Presidenti Biden ka biseduar nëntë herë me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu që nga fillimi i konfliktit, tha një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane gjatë një konference me gazetarët. Zyrtari amerikan tha se Presidenti Biden ka biseduar edhe me udhëheqësit e Egjiptit, Jordanisë dhe Arabisë Saudite, ndërsa këshilltari i sigurisë kombëtare Jake Sullivan është angazhuar “pothuaj çdo ditë” me partnerët e Shteteve të Bashkuara në rajon.

Ndërsa kryeqytetet e vendeve arabe janë përfshirë nga protesta kundër Izraelit, zyrtarët amerikanë besojnë se furnizimi i civilëve palestinezë në Rripin e Gazës me ndihma humanitare është një faktor kyç në përpjekjet për të frenuar përhapjen e luftës.

Të premten dhe të shtunën, Sekretari i Shtetit Antony Blinken ndodhej në rajon për herë të dytë në më pak se një muaj për të arritur një marrëveshje për ndërprerje të përkohshme të luftimeve për t’i hapur rrugë dërgimit të ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve në Rripin e Gazës.“Ne duhet të bëjmë më shumë për të mbrojtur civilët palestinez”, tha Sekretari Blinken në Tel Aviv.

Megjithatë, Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se ai ka urdhëruar mijëra punëtorë palestinezë, që punojnë në Izrael, të kthehen në Rripin e Gazës. Ai gjithashtu tha se Izraeli nuk do të lejojë dërgimin e karburantit në Rripin e Gazës dhe nuk do të pranojë një ndërprerje të përkohshme të luftimeve pa lirimin e pengjeve. Më shumë se 200 vetë u rrëmbyen nga Hamasi gjatë sulmit të militantëve të këtij grupi më 7 tetor në Izrael dhe të paktën 1400 njerëz të tjerë u vranë.

Sekretari amerikan i Shtetit kundërshtoi kërkesën e vendeve arabe për një armëpushim të plotë mes Izraelit dhe Hamasit duke përsëritur qëndrimin se kjo do të ndihmonte vetëm grupin militant palestinez që Uashingtoni e konsideron organizatë terroriste. Blinken u përball me presionin e homologëve të tij arabë në Jordani, të cilët këmbëngulin për një armëpushim në Rripin e Gazës, ku sipas ministrisë së shëndetësisë, e cila drejtohet nga Hamasi, më shumë se 9000 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite.

Analistët thonë se edhe nëse Shtetet e Bashkuara janë të suksesshme në përpjekjet e tyre diplomatike për çështjet afatshkurtra, Uashingtoni duhet të përqendrohet në hedhjen e themeleve për çështjet afatgjata, si qeverisja e Rripit të Gazës pas luftës dhe arritja e zgjidhjes me dy shtete.

Përpjekje për të mos lejuar përhapjen e konfliktit

Shtetet e Bashkuara janë “të vendosura që të mos hapet një front i dytë apo i tretë në këtë konflikt,” tha zoti Blinken. Për këtë qëllim, SHBA ka përforcuar praninë ushtarake në rajon.

Në kufirin verior të Izraelit me Libanin, Hezbollahu, një milici e fuqishme dhe aleat i Hamasit, është përfshirë në luftime ndërkufitare me ushtarët izraelitë. Të premten, Sekretari i Përgjithshëm i Hezbollahut, Hassan Nasrallah, nuk tha se milicia e tij do të angazhohet plotësisht në konflikt, por paralajmëroi SHBA-në se nëse Izraeli nuk ndalonte sulmet në Gaza, konflikti mund të zgjerohet.

Rebelët Houthi të Jemenit morën të martën përgjegjësinë për sulmet me raketa dhe dron që kishin në shënjestër Izraelin, pas disa goditjeve nga ky grup muajin e kaluar që u frenuan nga anijet amerikane në Detin e Kuq.

Trupat amerikane në Irak dhe Siri janë vënë gjithashtu nën shënjestër nga grupet aleate të Iranit, duke shkaktuar shqetësime për sulme të mundshme ndaj bazave të tjera amerikane në të gjithë rajonin.

Dhuna po përshkallëzohet edhe në Bregun Perëndimor, ku më shumë se 100 palestinezë janë vrarë në përleshjet me ushtarët izraelitë dhe banorë të armatosur izraelitë të vendbanimeve.

Barbara Slavin, studiuese në Qendrën Stimson, thotë se sa më gjatë të vazhdojë ofensiva e Izraelit në Gaza, sa më shumë të rritet ndjenja e militantizmit në rajon, aq më e vështirë do të jetë të bëhen parashikime të sakta dhe të frenohet lufta.

“Opinioni publik arab është i ndezur nga këto skena të tmerrshme [në Gaza],” thotë ajo për Zërin e Amerikës.

Edhe vendet që kanë normalizuar kohët e fundit marrëdhëniet me Izraelin, përfshirë Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Marokun, janë nën presionin në rritje të publikut për t’i shkëputur ato lidhje.

Presidenti Biden ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin dhe grupet që mbështeten prej tij, që të mos e përshkallëzojnë konfliktin. Edhe zyrtarët e Teheranit kanë deklaruar se nuk duan përhapjen e luftës.

Irani ka prirjen “të shkojë deri në prag të konfliktit, por pa e kaluar atë prag”, thotë Elisheva Machlis, pedagoge për Studime të Lindjes së Mesme në Universitetin Bar-Ilan.

Ajo i thotë Zërit të Amerikës se gjasat janë që Irani ka udhëzuar grupet që e mbështesin atë në rajon që të mos krijojnë një front tjetër lufte, por të shkaktojnë mjaftueshëm probleme për të shpërqendruar vëmendjen e ushtrisë izraelite nga Gaza.

Duke pasur parasysh mundësinë e përllogaritjeve të gabuara, kjo strategji mund të dështojë megjithëse Teherani nuk ka dëshirë të përfshihet drejtpërdrejt. Çfarë ndodh më pas?

Si Izraeli ashtu edhe Shtetet e Bashkuara kanë përjashtuar mundësinë e një kthimi të Izraelit në Gazën e kontrolluar nga Hamasi dhe në përgjithësi janë në një mendje se Izraeli nuk do ta qeverisë territorin pas luftës. Aleatët kanë mendime të ndryshme për atë që ndodh më pas: Uashingtoni këmbëngul se qëllimi i luftës nuk duhet të jetë vetëm mposhtja e Hamasit, por edhe përpjekjet për një zgjidhje me dy shtete.

Zyra e zotit Netanyahu ka thënë se qëllimi i luftës është eliminimi i Hamasit dhe se nuk ka pasur bisedime për vendime të mundshme për t’ia dorëzuar Rripin e Gazës Autoritetit Palestinez ose ndonjë pale tjetër. Ndryshe nga Hamasi, Autoriteti Palestinez e njeh Izraelin dhe mbështet një zgjidhje me dy shtete. Kristian Coates Ulrichsen, bashkëpunëtor për Lindjen e Mesme në Institutin Baker, thotë se ekziston gjithashtu nevoja për t’u siguruar që të mos ketë radikalizim dhe fuqizim të mëtejshëm të ekstremistëve në të gjithë rajonin.

“Do të duhet që shtetet arabe të jenë në krye të përpjekjeve për një përgjigje politike që të trajtojë çështjet themelore si dhe ato më të menjëhershme,” i tha ai Zërit të Amerikës.

Një pauzë në luftime është sfida e parë si për qëllimin afatshkurtër të administratës për mbrojtjen e civilëve palestinezë, ashtu edhe për qëllimin afatgjatë për të punuar drejt një paqeje të qëndrueshme në rajon.

Deri tani kjo sfidë nuk është zgjidhur. Pas kërkesës nga Sekretari i Shtetit Blinken për një pauzë të tillë për qëllime humanitare, kryeministri Netanyahu tha se nuk do të ketë një armëpushim të përkohshëm, derisa të kthehen të gjitha pengjet nga Hamasi. /VOA


Top Channel

You may also like