Beteja e re e Kosovës – për historinë dhe lojalitetin e “kosovaro-serbëve”

by admin
Spread the love
Milazim Krasniqi

Gjendja e pezullt e serbëve të Kosovës dhe fuqia e Serbisë që t’i sponsorizojë projektet e tyre irredentiste, do t’i prodhojë në mënyrë serike personazhet e tipit të Millosh Obiliqit, Sholleviqit e Radojçiqit, derisa serbët e Kosovës të rehabiliohen e të integrohen në shtetin e ri.

Shkruan: Milazim KRASNIQI, Prishtinë

Ku e kanë burimin historik dhe motivimin ideologjik e religjioz sloganet militante serbe: “Kosova është Serbi”, “ Kosova është tokë e shenjtë serbe”, “Kosova është Jerusalem serb” , “Të hakmerremi për Kosovën!”? A janë produkt i kujtesës historike kombëtare apo produkt i ideologjisë imperiale pansllaviste dhe religjioze ortodokse? Si mund të zbuten që të mos vazhdojnë të mbeten malinje për paqen në rajon këto ideologema luftënxitëse e hakmarrëse? A mund të dekonstruktohen në kohën tonë, në frymën e postmodernizmit, ku narracionet e mëdha jo vetëm mund të dekonstruktohen, por edhe të shndërrohen nganjëherë në objekte të lehta cinizmi relaksues. Sa e si mund të ndihmojnë shqiptarët në çmontimin e mitit serb për Kosovën? Dhe, ajo që është posaçërisht e rëndësishme, sa e si mund të kontribuojnë serbët e Kosovës në atë çmontim mitesh e ideologemash malinje dhe, përtej tyre, ta realizojnë bashkëjetesën paqësore me shqiptarët në një Kosovë të pavarur, duke e ruajtur identitetin e vet kombëtar, pa u instrumentalizuar nga politikat imperiale të Serbisë kundër Kosovës së pavarur? Këto pyetje prekin jo vetëm në palcën e çështjes identitare serbe e perspektivën e raporteve serbo-shqiptare, po edhe në vetë mundësinë e ekzistencës së shtetit të Kosovës dhe rolit që u është rezervuar në tërë këtë sfond serbëve të Kosovës.

Akademizmi i përgjunjur në të kaluarën dhe i përgjumur sot

Si të tilla, këto pyetje e tejkalojnë kornizën e një teksti që shkruhet për një numër të një reviste, sado prestigjioze që të jetë ajo. Në fakt, përgjigje në këto pyetje do të duhej të kishte dhënë tashmë historiografia shqiptare, antropologjia kulturore dhe religjiografia. Por, nuk kanë dhënë. Përkundrazi, ato kanë vazhduar e vazhdojnë ende, ndonëse gjithnjë e më të ndrojtura, që të përkrahin narrativën serbe mbi Kosovën, veçmas kur është fjala për Betejën e Kosovës. Duke e përkrahur versionin serb mbi Betejën e Kosovës, në fakt legjitimohen të gjitha mitet, propaganda, sloganet dhe ideologjitë militante serbe, sepse tharmi i identitetit kombëtar serb është pikërisht ajo ngjarje. Nëse e pranoni versionin serb mbi Betejën e Kosovës, e keni pranuar në pako edhe versionin mbi tapinë/pronësinë serbe mbi këtë territor. Për të qenë pak më konkret: nëse e glorifikoni Betejën e Kosovës si një projekt vetëmbrojtës e çlirimtar serb (e ballkanik) kundër osmanëve, në fakt e trasoni rrugën që të arsyetohet ideologjikisht edhe pushtimi i Kosovës në vitin 1912 nga Serbia, sepse pushtimi i vitit 1912 është justifikuar pikërisht me të drejtën historike serbe që e ka burimin te Beteja e Kosovës. A është e qartë se sa naive është qasja e pjesës dërrmuese të historiografisë sonë? Po ashtu, nëse e glorifikoni Betejën e Kosovës si projekt të përbashkët serbo-shqiptar a edhe gjithëballkanik, atëherë nuk mund ta mbroni kauzën e një shteti të pavarur të Kosovës, i cili formalisht është multientik, pra as serb as shqiptar. Brenda atij perceptimi, të multienticitetit (as, as) Kosova duket shtet në një vakum, i cili së shpejti duhet të mbushet me ndonjë përmbajtje tjetër. Nëse e glorifikoni bashkëpunimin shqiptaro-serb, nuk mund të jeni kundër projektit të Pashiqit “Ballkani ballkanasve” dhe projekteve që ka derivuar deri te shëmtira e fundit politike “Ballkani i Hapur”, i cili proklamonte bashkëveprimin serbo-shqiptar, por pa “shtetin vakum”, pra pa Kosovën, më saktë kundër Kosovës. Me një fjalë, shkencat albanologjike nuk kanë ndihmuar në sqarimin e duhur të këtyre problemeve historike, religjioze, politike, demografike, që ngarkojnë marrëdhëniet shqiptaro-serbe dhe i mbajnë në gjendje lufte edhe kur ajo nuk është e shpallur ose kur është një gjendje armëpushimi, sikundër është kjo gjendja e tashme e arritur me Marrëveshjen Ushtarake-Teknike të 9 qershorit ndërmjet NATO-s dhe ish RFJ-së. Natyrisht, publicistika nuk mund ta zëvendësojë asnjëherë studimin mirëfilli shkencor. Bile, as në rastin “kur nuk ka shi, bën edhe breshër”. Por, publicistika nuk ka pse vegjeton, nëse shkenca po vegjeton. E pakta që mund të bëjë publicistika në këto kushte është të shtrojë pyetje si këto që u shtruan në fillim dhe të përpiqet të nxisë që të japin përgjigje ata që eventualisht i dinë ato përgjigje.

Disa përgjigjet dihen, por fshihen. Pse fshihen?

Nëse nisemi nga pjesa e parë e pyetjes që u bë në fillim të këtij teksti (ku e kanë burimin historik dhe motivimin ideologjik e religjioz sloganet militante serbe: “Kosova është Serbi” dhe derivatet e saj?) mund të themi si vijon: në kohën që llogaritet si ngjizja e këtij miti, në vitin 1389 kishte serbë në Kosovë, por nuk kishte shtet serb, nuk kishte Serbi. Vuk Brankoviqi ishte sundimtar në Prishtinë, ndërsa Llazar Hrebellanoviqi e administronte nga Krushevci edhe Novo Bërdën. Ishin sundues të dalë nga procesi i shpërbërjes së shtetit mesjetar të Dushanit dhe ishin në rivalitete e në konflikte ndërmjet vetes e sidomos me Kraleviq Markun, i cili sundonte në Prilep, si trashëgimtar i mbretit Vukashin Mërnjavçeviq, i kontestuar edhe ai. Pra, nëse Beteja e Kosovës konsiderohet si tharmi i mitit se Kosova është Serbi, atëherë del të jetë pohim tërësisht i pavërtetë, sepse Serbi në atë kohë nuk kishte. Kishte Fushë Kosovë, por nuk kishte Serbi. Osmanët edhe erdhën në këtë rajon, për ta plotësuar vakumin gjeopolitik që kishte ngelë pas shpërbërjes së shtetit të Dushanit, më saktë pas vdekjes së pasardhësit të fundit nemanjid, Uroshit, dhe katastrofës serbe në Maricë më 1371. Brenda logjikës historike të atyre proceseve dhe ngjarjeve, atdheu simbolik i Serbisë do të duhej të kërkohej që të ribëhej në Maricë, ku u shkatërrua shteti serb në vitin 1371. Në fakt, në Betejën e Kosovës kishte luftë civile ndërmjet serbëve, ndërsa osmanët ishin të ftuarit e Kraleviq Markut, të vetmit sundimtar legjitim serb që kishte mbetur pas katastrofës së vitit 1371. Shkurt, në vitin 1389 nuk kishte një shtet që të quhej Serbi, prandaj Kosova as nuk ishte e as nuk mund të quhet Serbi. Ata e quanin Kosovën “Serbi e Vjetër” shumë më vonë, në kohën e rilindjes kombëtare serbe. E dyta, pas disfatës në Betejën e Kosovës, (1389) ku Vuk Brankoviqi u etiketua si tradhtar e mandej u bë vasal osman, asgjë serbe nuk kishte mbetur që të ishte legjitime. Bijtë e Llazarit e pranuan po atë ditë vasalitetin dhe, madje, ia dhanë për nuse sulltan Bajazitit motrën e tyre, Milevën. Çka ka këtu për t’u krenuar? Krenari me tradhtinë e Vuk Brankoviqit? Krenari me vasalitetin e bijve të Llazarit? Krenari me të bijën e tij, Mileven, e cila shkoi po atë natë në shtratin e fitimtarit, i cili ia vrau babën? Krenari me Serbinë, e cila për aq sa ekzistonte, në mbeturinat e shtetit të Dushanit, u shkatërrua në një pasdite të vetme? Prandaj konkluzioni i saktë është se Kosova në atë kohë nuk ka qenë Serbi. Më shumë mund të ishte e vërtetë po të ishte thënë se Marica a Çernomeni ishin Serbi, sesa që thuhet për Kosovën. Ndërsa slogani “Osvetiti Kosovo” (Të hakmerremi për Kosovën) ka të bëjë me përpjekjen serbe për ta arsyetuar pretendimin gjenocidal serb kundër shqiptarëve të Kosovës në kohën e re, në shekullin XX. Ja si funksionon kjo ideologji gjenocidale: duhet të hakmerremi në shekujt XX- XXI për një humbje që e kemi përjetuar në shekullin XIV. E dyta, duhet t’i hakmerremi një populli tjetër, popullit shqiptar, ani pse në shekullin XIV na kanë shkaktuar disfatë osmanët. Si paketohet thirrja për hakmarrje ndaj shqiptarëve dhe ndaj boshnjakëve? Hakmarrja ndaj shqiptarëve e boshnjakëve arsyetohet me faktin se janë me shumicë myslimanë, pra si ish pushtuesi osman. Ama, me këtë kriter Serbia do të duhej të luftonte edhe kundër popujve të tjerë me shumicë myslimane, që nga egjiptianët, pakistanezët, indonezianët, rohinjat etj., meqë edhe ata janë me shumicë myslimanë. Por, në rastin shqiptar motivi i vërtetë është se ata jetojnë në hapësirën të cilën serbët e konsiderojnë “hapësirë jetësore” të veten, me çka ata e kanë praktikuar doktrinën “Lebensraum” para Hitlerit. Hakmarrja për Kosovën është në themelin e ideologjisë së projektit “Serbia e Madhe” edhe në ditët tona. E kamufluar vitet e fundit si “bota serbe”, në fakt është e njëjta ideologji, por e kamufluar pas disfatave që ka përjetuar projekti i Serbisë së Madhe në vitet e nëntëdhjeta në luftërat në Slloveni, në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë. Të gjitha këto të vërteta dihen. Pse fshihen? E kuptoj pse fshihen nga serbët, por nuk arrij ta kuptoj kurrqysh pse fshihen edhe nga studiuesit shqiptarët, veçmas nga albanologët. Nëse është në themel të kësaj fshehjeje të fakteve kompleksi i inferioritet, gjë që ka mundësi, njerëzit duhet ta dinë se kompleksi i inferioritetit nuk ka vetëm veti bllokuese, por ka edhe potenciale vetëshkatërruese.

Nyja e Gordit: “Kosovski srbi” apo albanofonët e serbizuar

Më duket se mënyra më e mirë për të kërkuar daljen nga ky vetëbllokim, si pasojë e kompleksit të inferioritetit përballë Serbisë, ose edhe e mercenarisë pseudoshkencore, është nëse fillojmë ta kërkojmë një zgjidhje ndërdisiplinare e humane, duke u marrë me serbët e Kosovës, si një subjekt që i përket vetë Kosovës. Nëse trajtohen si kolonë e pestë e Serbisë, kurrë zgjidhje nuk do të ketë. Është e pakuptueshme përse historiografia shqiptare e ka injoruar dhe vazhdon ta injorojë këtë çështje, e cila për Kosovën është ekzistenciale. Injorimi i problemit të serbëve të Kosovës, si nga shkencat albanologjike, ashtu edhe nga politika shtetërore, është absurd, e pakta për këto dy arsye: e para, për faktet historike që janë kokëforta dhe dëshmojnë për një prezencë disashekullore të serbëve në truallin e Kosovës; dhe, e dyta, për shkak të potencialeve destabilizuese, që realisht i kanë serbët e Kosovës, meqë janë të sponosorizuar direkt nga Serbia dhe, në prapavijë, edhe nga Rusia. Kosova, me statusin e saj të pafinalizuar dhe me fuqinë e pakët ekonomike, kulturore e ushtarake, nuk ka mundësi t’i pacifikojë. Prandaj, duhet të kërkohen rrugë më të buta të qetësimit dhe integrimit të tyre. Mund të fillohet nga rishikimi i fakteve historike. Nga burimet historike është e dëshmuar se, të paktën, nga viti 1190 Kosova ka qenë e pushtuar dhe e sunduar nga nemanjidët. Pushtimi ka sjellë edhe elementin serb nga viset e tjera dhe, në anën tjetër, e ka rritur korpusin demografik serb me anën e asimilimit të popullsisë vendase, albanofone. Bile, serbët e Kosovës me shumicë kanë prejardhje arbërore, por që janë asimiluar nga ndikimi që ka pasur Kisha Ortodokse Serbe në kohën osmane dhe nga administrata shtetërore serbe pas pushtimit serb të vitit 1912. Për asimilimin e arbërve në serbë flasin shumë autorë, ndër ta edhe Noel Malkolmi. Ndërsa, në një përshkrim nga vendi i ngjarjes, nga Kosova, Edit Durhami në vitin 1908 e skicon dukurinë e asimilimit të albanofonëve në serbë me këto fjalë: “…ndërsa shqiptarët janë pothuajse vetëm albanofonë, sllavët e shpërndarë zakonisht i flasin të dyja gjuhët dhe kur iu flet në serbisht shpesh ta kthejnë fillimisht në shqip”. Pra, serbët e Kosovës në fillim të shekullit XX ishin edhe albanofonë dhe vetëm pas pushtimit serb të vitit 1912 ata janë sllavizuar plotësisht. Meqë gjuha e administratës ishte osmane e jo shqipe, meqë gjuha e kishës ishte sllave e jo shqipe, ata nuk kanë pasur asnjë arsye politike, ekonomike a fetare që ta mësonin shqipen. Ata e kanë ditur shqipen, sepse kanë pasur prejardhje shqiptare. Bile, Edit Durhami e sjell edhe shembullin e një popi në manastirin e Deviqit, i cili i kishte treguar asaj se prindërit i kishte pasur shqiptarë, por ishte serbizuar duke shërbyer në kishën serbe. Natyrisht, ato procese duhet të studiohen, por indikacionet e shumta dëshmojnë se serbët e Kosovës, raja (pra jo kolonistët e vonë) me shumicë kanë qenë albanofonë, që janë asimiluar në serbë. (Burimet e shumta vërtetojnë se ai proces i asimilimit të shqiptarëve në serbë ka qenë alarmant, por është ndërprerë me ardhjen e sundimit osman në këto hapësira.) Nëse shkenca do të kontribuonte në ndriçimin e të vërtetës për sa u tha, do të mund të hapej një perspektivë krejt e re për identitetin e serbëve të Kosovës, për Kishën e tyre dhe për rolin e tyre në shtetin e Kosovës si faktor integrues. Pastaj do të mund të reflektonte edhe në sjelljet e tyre më lojale ndaj shtetit të Kosovës në kohën tonë.

Millan Radojçiqi është një kopje e Sholleviqit

Kështu si janë sot, pra edhe pa perspektivën historike, serbët e Kosovës kanë potencial destabilizues e minues ndaj shtetit të Kosovës, meqë e kanë ndihmën e pakursyer të Serbisë e në prapavijë edhe të Rusisë. Me aranzhmanet e reja që ka pranuar qeveria e Kosovës, duke e pranuar Planin Franko-Gjerman dhe Planin e Zbatimit, serbëve të Kosovës u është ofruar autonomi politike e territoriale (Asociacioni), autonomi funksionale (për Kishën Ortodokse Serbe) autonomi kulturore dhe autonomi personale. Kjo zgjidhja e autonomisë personale (VETË-MENAXHIMI) i bën subjekt mbikushtetues, sepse janë të mbrojtur nga ligji vetëm për faktin se janë serbë. Ata që mendojnë se çështja e serbëve të Kosovës mbyllet me inkursione të njësive speciale në veri, ose janë aventurierë ose budallenj. Kjo çështje nuk mund të mbyllet, kjo çështje duhet të zgjidhet. Ja edhe një arsye nga historia e para disa decenieve se pse nuk mund të mbyllet pa u zgjidhur. Në vitet e tetëdhjetë, kur filloi realizimi i projektit memorandumian serb për “Serbinë e Madhe”, roli i serbëve të Kosovës për destabilizmin e Jugosllavisë ka qenë shumë i madh. Të kapur nga shërbimet sekrete serbe dhe të futur nën diktatin ideologjik të Dobrica Qosiqit e të Sllobodan Millosheviqit, serbët e Kosovës janë përdorë si boks hekuri për të goditur udhëheqjet politike në Kosovë, në Vojvodinë, në Mal të Zi, madje edhe në vetë Serbinë (rrëzimi i Ivan Stambolliqit e Dragisha Pavlloviqit.) Ideologu i nazifashizmit serb, Dobrica Qosiq, ka publikuar takimet që ka pasur me Bogdan Kecmanin e Sholleviqin dhe udhëzimet që ua ka dhënë se si ta udhëhiqnin luftën e tyre për kauzën e nazifashizmit serbomadh. Ngritja e Millosheviqit, si një lider nacionalist gjithëserb, filloi nga një miting në Fushë Kosovë. Histeria antishqiptare u ngrit në kulminacion në Serbi nga keqpërdorimi që iu bë një akti pederastie të Gjorgje Martinoviqit në një fshat të komunës së Gjilanit. Poeti kombëtar serb, Antonie Isakoviq, e pat quajtur Martinoviqin “Jasenovc për një njeri”, duke e krahasuar me kampin e përqendrimit. Një grua serbe e një fshati të Istogut, e fotografuar me kallashnikov se gjoja po e mbronte pronën, u shndërrua në personazh për mobilizim e militarizim antishqiptar në Serbi. Bandat e sotme në veriun e Kosovës kanë vazhdimësi nga ato projekte e nga ato keqpërdorime që u bëhen serbëve të Kosovës nga shteti serb. Millan Radojçiqi është një kopje e Sholleviqit. Nesër do të mund të jetë një Radojçiq tjetër edhe më brutal. Në një version paksa patetik, mund të jetë që atentatori Millosh Obiliqi të jetë shembëlltyra e ekstremistëve serbë të Kosovës, në stilin e vargut popullor “e vras veten t’faroj ty.” Gjendja e pezullt e serbëve të Kosovës dhe fuqia e Serbisë që t’i sponsorizojë projektet e tyre irredentiste do t’i prodhojë në mënyrë serike personazhet e tipit të Millosh Obiliqit, Sholleviqit e Radojçiqit, derisa serbët e Kosovës të rehabiliohen e të integrohen në shtetin e ri. Ata janë nxjerrë nga shteti kombëtar i tyre, nga Serbia, dhe ende nuk janë pajtuar me atë ndryshim, i cili prej tyre përjetohet si kërcënim identitar, ndonëse në esencë është ndryshim gjeopolitik. Konkludimi im është se me qasjet që kemi, duke mos e rishikuar të kaluarën, duke mos u përballë me realitetin ose duke bërë ndërhyrje policore parciale, nuk ka zgjidhje të qëndrueshme. Ndërkaq, pa e zgjidhur problemin e serbëve të Kosovës në favor të shtetit të Kosovës, duke e siguruar lojalitetin e tyre, nuk mund të largohet influenca malinje e Serbisë e Rusisë. Nuk mund të ketë Kosovë të qetë e demokratike. Rrjedhimisht, as Ballkan të qetë e europian. /revistashenja

You may also like