Besa feston 97-vjetorin e themelimit, Kavaja vlerëson yjet e futbollit

by admin
Spread the love

Dita e sotme është e veçantë për klubin e Besës, pasi skuadra kavajase feston 97-vjetorin e themelimit. Në 25 tetor të vitit 1925 u themelua Shoqata Kulturore-Sportive Adriatiku, një klub shumësportësh me bazë në qytetin e Kavajës.

Në vitin 1930 klubi ndryshoi emrin në Sport Klub Kavaja dhe po në atë vit luajti ndeshjen e parë miqësore përballë një skuadre amatore të formuar nga studentë të Institutit Bujqësor. Pak më vonë skuadra aderoi në Federatën Shqiptare të Futbollit, që sapo ishte formuar, dhe mori pjesë në kampionatin e zhvilluar atë vit.

Besa është një skuadër me traditë në futbollin shqiptar që ka prodhuar shumë lojtarë të talentuar. Disa nga lojtarët më të shquar të futbollit kavajas janë Alush Merhori, Muharrem Kariqi, Dashnor Bajaziti, Naim Allaj, Shyqyri Qerollit, Bujar Pagrisë, Altin Rraklli, Andi Lila dhe Sokol Cikalleshi.

Spikat “brezi i artë” i viteve 1965-1975, që arriti të suksese në Kupën e Shqipërisë dhe i mundësoi klubit pjesëmarrjen e parë historike në Kupat e Europës. Në vitin 1971 Besa ishte finaliste e Kupës, ku u mund nga Dinamo në finale 2-0. Edhe një vit me pas skuadra kavajase u mund në finalen e Kupës së Shqipërisë nga Vllaznia pas gjuajtjes së penalltive (finalja përfundoi 2-2).

Skuadra debutoi në Kupat e Europës në sezonin 1972-73 dhe eliminoi në turin e parë të Kupës së Kupave danezët e Fremad Amager. Në turin e dytë kavajasit u eliminuan nga skocezët e Hibernian.

Besa u rikthye pas shumë vitesh në Europë, pas fitimit të Kupës së Shqipërisë në sezonin 2006-2007 si dhe në vitin 2010, ku sërish arriti të bëjë të vetën Kupën e Shqipërisë.

Gjatë historisë së saj 97-vjeçare Besa ka fituar 2 herë Kupën e Shqipërisë, 1 herë SuperKupën e Shqipërisë dhe është shpallur 2 herë nën-kampione e vendit.

Ditën e premte në datë 28 tetor në sallën e Pallatit të Kulturës së Kavajës do të zhvillohet një takim historiko-përkujtimor për klubin e Besës, ku do ti jepet titulli “Qytetar Nderi” (Pas vdekjes) ish-trajnerit Muhamed Vila si dhe do të prezantohet libri më i ri i gazetarit dhe shkrimtarit të njohur Fatmir Efica: “Yjet e futbollit kavajas”. / Oversport.tv

You may also like