BERLIN, 5 shtator /ATSH-DPA/- Talebanët shpresojnë të angazhohen në negociata të drejtpërdrejta me Gjermaninë, tha sot një zyrtar i lartë, pasi Berlini deportoi kriminelët në Afganistan për herë të parë që nga kthimi i grupit në pushtet në 2021.
“Është në interes të të dy popujve dhe vendeve që Gjermania dhe Afganistani të mbeten të përkushtuara dhe të rivendosin marrëdhëniet e tyre historike”, tha zyrtari taleban.
Gjermania nuk ka marrëdhënie zyrtare diplomatike me talebanët, të cilët akuzohen për shkelje të të drejtave të njeriut, veçanërisht ndaj grave dhe vajzave.
Megjithatë, 28 të burgosur të dënuar për krime në Gjermani u larguan nga vendi për në Afganistan të premten.
Transmetuesi “Al Jazeera” tha se Katari kishte ndërmjetësuar mes qeverisë gjermane dhe talebanëve. Për fluturimin e të burgosurve u përdor një avion çarter i “Qatar Airways”.
Rifillimi i dëbimeve në Kabul ka qenë një çështje e nxehtë në Gjermani muajt e fundit, pasi një refugjat afgan vrau një polic në qytetin perëndimor Mannheim.
Kritikët kanë shprehur shqetësimin se dëbimet në Afganistan mund të çojnë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.
Zyrtari taleban tha se kriminelët e dëbuar do të gjykohen dhe trajtohen sipas ligjit, duke marrë parasysh krimet që kanë kryer. //a.i/