BERLIN – Scholz thirrje për më shumë ndihmë për Ukrainën përpara takimit me Biden

by admin
Spread the love

BERLIN, 8 shkurt /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Olaf Scholz bëri thirrje urgjente për ndihmë më të madhe ushtarake për Ukrainën dhe paralajmëroi për pasojat e tmerrshme të një fitoreje nga ana e Rusisë, përpara takimit me presidentin amerikan Joe Biden dhe udhëheqësit e kongresit, në Uashington.

Në një intervistë për ftuar Wall Street Journal, Scholz paralajmëroi aleatët e Ukrainës për rrezikun e reduktimit të mbështetjes ushtarake.

“Mbështetësit e Ukrainës duhet t’i dërgojnë një sinjal të qartë presidentit rus Vladimir Putin dhe liderëve të tjerë agresivë kudo në botë”, tha Scholz më herët në Berlin.

“Mesazhi ynë është i qartë; Ne duhet të bëjmë maksimumin për të parandaluar fitoren e Rusisë. Nëse nuk e bëjmë, së shpejti mund të zgjohemi në një botë edhe më të paqëndrueshme, kërcënuese dhe të paparashikueshme sesa ishte gjatë Luftës së Ftohtë”, tha Scholz.

“Pavarësisht mbështetjes sonë, Ukraina së shpejti mund të përballet me mungesa serioze të armëve dhe municioneve. Disa angazhime financiare tashmë kanë mbaruar dhe të tjera duhet të zgjaten. Pasojat afatgjata dhe kostot e dështimit për të ndalur agresionin e Putinit do të zbehnin çdo investim që po bëjmë tani”, shtoi ai.

Ky është udhëtimi i tretë i Scholz në Uashington që nga marrja e detyrës më shumë se dy vjet më parë.

Ai ka planifikuar të takohet nesër me Biden në Shtëpinë e Bardhë për të diskutuar ndihmën ushtarake për Ukrainën, konfliktin në Lindjen e Mesme dhe samitin e NATO-s këtë verë.

Vizita e Scholz në Uashington vjen pasi ligjvënësit republikanë amerikanë në Kongres kanë bllokuar ndihmën e mëtejshme të SHBA-së për Ukrainën.

Scholz gjithashtu ka luftuar për të bindur disa partnerë të Bashkimit Evropian që të rrisin ndihmën e tyre për Kievin.

Udhëheqësi gjerman planifikon gjithashtu të takohet me anëtarët e Kongresit të SHBA-së në Uashington, si dhe me liderët e biznesit amerikan nesër në mëngjes.//a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like