BERLIN – Mbi 100 marrëveshje në Konferencën e Rimëkëmbjes së Ukrainës

by admin
Spread the love

BERLIN, 12 qershor /ATSH-DPA/- Gjatë konferencës së rimëkëmbjes së Ukrainës, që po zhvillohet në Berlin, u nënshkruan më shumë se 100 marrëveshje, tha sot ministrja gjermane e zhvillimit Svenja Schulze, në ditën e fundit të konferencës dyditore.

“Marrëveshjet, duke përfshirë biznesin dhe qeveritë, përfshijnë kredi për bizneset e vogla, më shumë partneritete në qytet dhe iniciativa trajnimi”, tha Schulze duke folur së bashku me zëvendëskryeministren e parë të Ukrainës, Yulia Svyrydenko, e cila shërben gjithashtu si ministre e Ekonomisë.

Konferenca, e cila nuk po shihet si një konferencë donatorësh, por një forum rrjeti, u ndoq nga më shumë se 3 000 përfaqësues nga politika, biznesi dhe organizatat ndërkombëtare.

“Ukraina ka nevojë për një ekonomi të fortë për t’i mbijetuar luftës dhe për t’u rindërtuar”, tha Schulze.

“Ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM) shihen si shtylla kurrizore e ekonomisë ukrainase, duke siguruar dy të tretat e krijimit të vlerës dhe duke siguruar 80% të vendeve të punës”, sipas shifrave të qeverisë gjermane.

Aleanca e re synon të sigurojë kredi të favorshme për këto kompani në shumën prej 4,5 miliardë euro (4,9 miliardë dollarë), duke e çuar totalin në më shumë se 7 miliardë euro.

Svyrydenko tha se ndërmarrjet e vogla dhe të mesme po luanin një rol kyç për rindërtimin e vendit.

“Kompanitë e mesme janë goditur veçanërisht rëndë nga pushtimi rus”, tha ajo, duke shtuar se aleanca e re do të jepte një kontribut vendimtar për qëndrueshmërinë dhe të ardhmen e Ukrainës.

Duke folur në një forum të kryebashkiakëve gjermanë dhe ukrainas, Schulze bëri thirrje për më shumë partneritete në qytet, në mënyrë që çdo bashki ukrainase të ketë të paktën një partner ndërkombëtar.

Mes të pranishmëve ishte edhe kryetari i bashkisë së Kievit, Vitali Klitschko.

Rrjeti i partneritetit gjermano-ukrainas përbëhet nga më shumë se 200 autoritete lokale, ndërsa qytetet ukrainase kanë partneritet me 2200 komuna në rreth 60 vende, veçanërisht në Poloni, Gjermani, Hungari, Rumani dhe Lituani. //a.i/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like