BERLIN, 5 shtator /ATSH-DPA/- Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock i ka bërë thirrje qeverisë izraelite në terma jashtëzakonisht të qarta – të mos refuzojë negociociatat për një zgjidhje me dy shtete për konfliktin palestinez.
“Ata anëtarë të qeverisë izraelite që vënë në pikëpyetje zgjidhjen me dy shtete me fjalë dhe vepra – po rrezikojnë sigurinë afatgjatë të Izraelit”, paralajmëroi Baerbock përpara bisedimeve të krizës në Arabinë Saudite, Jordani dhe Izrael.
“Negociatat mbi një zgjidhje me dy shtete janë opsioni i vetëm për paqe të qëndrueshme. Kjo është mënyra e vetme për të luftuar terrorizmin në terma afatgjatë”, tha kryediplomati gjerman.
Zgjidhja me dy shtete parashikon një shtet të pavarur palestinez që ekziston në mënyrë paqësore krah për krah me Izraelin.
Baerbock do të udhëtojë në Lindjen e Mesme – për bisedime me udhëheqësit rajonalë mbi perspektivën e një armëpushimi në Gazë dhe lirimin e pengjeve izraelitë.
Baerbock do të zhvillojë sot bisedime me homologun e saj saudit, Faisal bin Farhan Al Saud në Riad përpara se të udhëtojë në Jordani për diskutime me ministrin e Jashtëm, Ayman al-Safadi në Aman.
Më pas ajo do të takohet me ministrin e Jashtëm izraelit Israel Katz dhe ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant përpara një udhëtimi në Ramallah në Bregun Perëndimor, ku do të zhvillojë bisedime me Mohammed Mustafa, kryeministrin e Autoritetit Palestinez. //a.i/