Bekim Sali bisedon me homologun kosovar Rifat Latifi: Kosova të shqyrtojë masat për Maqedoninë e Veriut

by admin
Spread the love




Ministri i Shëndetësisë Bekim Sali ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me homologun kosovar Rifat Latifi rreth masave restriktive që ka marrë Qeveria e Kosovës për hyrje në Kosovë. Kërkesa për tre doza vaksine ose 2 doza dhe test negativ për hyrje në Kosovë, sipas Ministrit Bekim Sali, vështirëson realizimin e obligimeve të përditshme të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut të cilët kanë lidhje familjare ose lidhje biznesi në Kosovë. Ai ka kërkuar rishqyrtim të kësaj mase, por duke mirëkuptuar edhe situatën e vështirë epidemiologjike në rajon.

“Kolegut Latifi ia përcolla edhe brengën e qytetarëve tanë të cilët kanë lidhje familjare, biznesore dhe detyrime të tjera të cilat kanë vështirë tani në realizimin e kërkesave… Duke konstatuar bashkërisht se gjendja me pandeminë në vendet tona është gati se e njejtë, me mirëkuptim kërkova që të rishqyrtohet ky vendim dhe të kërkohet një mundësi tjetër që edhe të mbrohet shëndeti i qytetarëve të të dyja vendeve por edhe të mundësi për qarkullim të lirë”, tha Bekim Sali për TV SHENJA.

Ministri Sali thotë se mes tjerash me Ministrin e Shëndetësisë të Kosovës ka folur edhe për koordinimin e ministrave të rajonit, me qëllim që i gjithë rajoni të ketë masa të përbashkëta për lëvizjen e qytetarëve.  /SHENJA/


You may also like