BE propozon rregullore në lidhje me rreziqet e sigurisë informatike të pajisjeve inteligjente

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg
Kompanitë rrezikojnë gjoba deri në 15 milionë euro, apo deri në 2.5% të xhiros globale totale, nëse nuk respektojnë projektligjin e propozuar nga Komisioni Europian – i njohur si Cyber Resilience Act

 

Nga laptopët te frigoriferët e deri tek aplikacionet celulare, pajisjet inteligjente të lidhura me internetin duhet të vlerësohen për rreziqet e tyre të sigurisë informatike, sipas një projektrregulloreje të Bashkimit Europian, e njoftuar të enjten, në mes të rritjes së shqetësimeve për një sërë sulmesh informatike.

Kompanitë rrezikojnë gjoba deri në 15 milionë euro (15 milionë dollarë), apo deri në 2.5% të xhiros globale totale, nëse nuk respektojnë projektligjin e propozuar nga Komisioni Europian – i njohur si Cyber Resilience Act, i cili u kërkon prodhuesve të zgjidhin çdo problem të identifikuar.

Sipas ekzekutivit të BE-së, kompanitë mund të kursejnë deri në 290 miliardë euro në vit në rast të incidenteve informatike, kundrejt kostove të pajtueshmërisë prej rreth 29 miliardë eurosh.

Në vitet e fundit, një seri incidentesh të profilit të lartë, ku hakerët kanë dëmtuar bizneset dhe u kanë kërkuar shpërblime të mëdha, kanë rritur shqetësimet në lidhje me dobësitë në sistemet operative, të pajisjeve të rrjetit dhe software.

“Ligji do të vendosë përgjegjësinë në vendin e vet, pra tek ata që nxjerrin produkte në treg”, – tha në një deklaratë, drejtuesja dixhitale e BE-së, Margrethe Vestager.

Prodhuesit do të duhet të vlerësojnë rreziqet e sigurisë kibernetike të produkteve të tyre dhe të marrin masat e duhura për të zgjidhur problemet në një periudhë prej pesë vjetësh, ose gjatë jetëgjatësisë së parashikuar të produktit.

Kompanitë duhet të njoftojnë Agjencinë Europiane për Sigurinë Informatike ENISA për çdo incident brenda 24 orëve kur vihen në dijeni dhe të marrin masa për t’i zgjidhur. Importuesit dhe distributorët do të duhet të verifikojnë nëse produktet janë në përputhje me rregulloret e BE-së.

Computer & Communications Industry Association (CCIA Europe) paralajmëroi se burokracia në procesin e miratimit mund të pengojë zhvillimin e teknologjive dhe shërbimeve të reja në Europë.

“Rregulloret e reja duhet të njohin, në fakt, standardet e pranuara në nivel global dhe të lehtësojnë bashkëpunimin me partnerë tregtarë të besuar, për të shmangur kërkesat e dyfishta”, deklaroi drejtori i Politikave Publike, Alexandre Roure.

Nëse kompanitë nuk respektojnë rregulloret e BE-së, autoritetet kombëtare të mbikëqyrjes mund të ndalojnë, ose të kufizojnë shitjen e një pajisje në tregjet kombëtare. Projektligji duhet të miratohet nga vendet dhe ligjvënësit e BE-së para se të hyjë në fuqi si ligj.

/ Reuters

 

You may also like