BE i kërkon Apple të paguajë 13 miliardë euro taksa të papaguara

by admin
Spread the love

Një ditë e kushtueshme për dy gjigantë të teknologjisë

 

Apple është ndëshkuar nga Gjykata Europiane e Drejtësisë (GjED) që t’i paguajë 13 miliardë euro taksa të papaguara Irlandës.

Komisioni Europian e ka akuzuar Irlandën se i ka dhënë Apple avantazhe tatimore të paligjshme tetë vite më parë, por qeveria irlandeze ka argumentuar vazhdimisht kundër nevojës që tatimi të paguhet.

Gjykata Europiane e Drejtësisë deklaroi se vendimi i saj për këtë çështje është përfundimtar dhe se “Irlanda i dha Apple ndihmë të paligjshme, të cilën Irlanda duhet ta rimarrë”.

Qeveria irlandeze deklaroi se do ta respektojë vendimin, ndërsa Apple tha se ishte e zhgënjyer dhe akuzoi Komisionin Europian se po përpiqet “të ndryshojë në mënyrë retroaktive rregullat”.

Një vendim i veçantë i Gjykatës Europiane të Drejtësisë të martën i dha fund gjithashtu një çështjeje të gjatë me Google, ku kolosi i teknologjisë do të detyrohet të paguajë një gjobë prej 2.4 miliardë eurosh për abuzim me pozicion dominues në treg.

Margrethe Vestager, shefja e antitrustit të BE-së, i përgëzoi të dyja vendimet. “Sot është një fitore e madhe për qytetarët europianë dhe drejtësinë tatimore” – tha ajo.

 

Para dhe pas

Vendimi ndaj Apple do të thotë se Gjykata Europiane e Drejtësisë më së fundi ka mbështetur vendimin e dhënë nga Komisioni Europian në vitin 2016 pas një procesi të gjatë ligjor.

Vendimi përfshinte periudhën nga viti 1991 deri në vitin 2014 dhe lidhej me mënyrën se si u trajtuan fitimet e krijuara nga dy filialet e Apple me seli në Irlandë për qëllime tatimore.

Të tilla marrëveshje tatimore u cilësuan të paligjshme, sepse të tjera kompani nuk mund të merrnin të njëjtat avantazhe.

Apple deklaroi: Ky rast nuk ka qenë kurrë rreth asaj se sa taksa paguajmë, por se cilës qeveri duhet t’ia paguajmë.

Ne i paguajmë gjithnjë të gjitha taksat kudo ku operojmë dhe nuk ka pasur kurrë një marrëveshje të veçantë. Komisioni Europian po përpiqet të ndryshojë në mënyrë retroaktive rregullat, duke mos marrë parasysh që, siç parashikohet nga e drejta tatimore ndërkombëtare, të ardhurat tona tashmë u nënshtroheshin taksave në SHBA.

Jemi të zhgënjyer me vendimin e sotëm, pasi më parë Gjykata pati shqyrtuar faktet dhe e anuloi kategorikisht këtë çështje, shtoi Apple. Lajmi i keq për Apple vjen një ditë pasi gjiganti i teknologjisë prezantoi gamën e re të iPhone.

 

Një ditë e kushtueshme për gjigantët e teknologjisë

Gjykata Europiane e Drejtësisë vendosi se Google duhet të paguajë një gjobë prej 2.4 miliardë eurosh, pasi ka abuzuar me pozicionin dominues në treg me shërbimin e saj të krahasimit të blerjeve.

Gjiganti i teknologjisë kishte apeluar kundër gjobës, e cila u vendos fillimisht në 2017 nga Komisioni Europian. Google tha se ishte i zhgënjyer me vendimin dhe theksoi se kishte bërë ndryshime në 2017 për të respektuar vendimin e Komisionit. Ky ishte dënimi më i madh i vendosur ndonjëherë nga Komisioni Europian në atë kohë.

Një vit më vonë, Google u ndëshkua nga KE me një gjobë më të madhe, prej 4.3 miliardë eurosh, për pretendimet se përdorte softuerin Android për të promovuar në mënyrë të padrejtë aplikacionet e veta.

/ BBC

Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like