BE gjobit 1.2 miliardë euro kompaninë Meta, për kalim të të dhënave personale në SHBA (fotot)

by admin
Spread the love

Bashkimi Evropian gjobiti sot kompaninë Meta, pronare e rrjetit social Facebook, me një shifër rekord prej 1.2 miliardë eurosh, për shkelje të privatësisë dhe e urdhëroi atë të ndalojë transferimin e të dhënave të përdoruesve evropianë përtej Atlantikut, deri në tetor.

Beteja ligjore dhjetëvjeçare u nxit nga frika mbi mundësinë e qasjes së paautorizuar të Shteteve të Bashkuara tek të dhënat personave apo kompanive evropiane.

Beteja ligjore nisi më 2013, kur avokati austriak dhe aktivisti i çështjeve të privatësisë, Max Schrems, u ankua për mënyrën se si Facebook-u, mbronte të dhënat e tij, pas informacioneve që bëri publike ish-punonjësi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Edëard Snoëden, mbi përgjimet që bënte agjencia amerikane e sigurisë.

Gjoba prej 1.2 miliardë eurosh nga Komisioni për Mbrojtjen e të Dhënave në Irlandë, është më e madhja që nga hyrja në fuqi e rregullave të rrepta të mbrojtjes së privatësisë në BE, pesë vjet më parë, duke tejkaluar gjobën prej 746 milionë eurosh ndaj kompanisë Amazon më 2021, po për shkelje të privatësisë.

Mbikëqyrësi irlandez është rregullatori kryesor i privatësisë së firmës Metës në bllokun prej 27-vendesh, sepse qendra evropiane e gjigantit teknologjik është e regjistruar në Dublin.

Kompania Meta, e cila kishte paralajmëruar më herët se shërbimet për përdoruesit e saj në Evropë mund të ndërpriteshin, tha se do ta apelojë vendimin dhe kërkoi nga gjykatat që ta pezullojnë atë menjëherë.

“Vendimi është i gabuar, i paarsyeshëm dhe përbën një precedent të rrezikshëm për shumë kompani të tjera, që transferojnë të dhëna midis BE-së dhe SHBA-së”, thanë zyrtarët e Meta-s.

Këtë muaj, institucionet e BE-së dhe ligjvënësit e bllokut kërkuan përmirësime, duke thënë se masat mbrojtëse nuk janë mjaft të forta.

Zyrtarët thanë se masa e re për mbrojtjen e të dhënave mund të jetë gati në korrik, por Meta ka paralajmëruar se ka gjasa që ajo të mos jetë gati në kohë.

Kompania e mediave sociale mund të detyrohet të bëjë një rishikim të kushtueshëm dhe të ndërlikuar të operacioneve të saj, nëse detyrohet të ndalojë dërgimin e të dhënave të përdoruesve përtej Atlantikut.

Sipas faqes së saj të internetit, 17 nga 21 qendrat e të dhënave të kompanisë Meta ndodhen në Shtetet e Bashkuara.Tre janë në Danimarkë, Irlandë dhe Suedi, ndërsa një është në Singapor./VOA/