Bayerni shkatërron Hofffenheimin, Dortmundi fiton edhe pa Haaland

by admin
Spread the love

Bayern i Mynihut makineri golash. Kampionët në fuqi të Bundesligës shkatërruan 4-0 Hoffenheimin në “Allianz Arena” duke siguruar fitoren e shtatë në nëntë ndeshje në elitën e futbollit gjerman. Një sfidë ku nuk mund t’i mungonte listës së golashënuesve Robert Lewandowski, që arrin në kuotën e 10 finalizimeve, një më shumë se “ylli” i Dortmundit, Haaland.

Takimi nisi me një gol të anuluar për Gnabrin në minutën e 8-të, megjithatë i njëjti autor zhbllokoi rezultatin në të 16-tën, i shërbyer nga Musiala. Në të 30-tën rrëmbeu duartrokitjet e “Allianz Arenas” sulmuesi polak, kandidat për “Topin e Artë”, pasi realizoi një gol fantastik nga jashtë zonës.

Dominimi i bavarezëve u reflektua me dy gola të tjerë në fundin e sfidës, të shënuar nga Choupo-Moting dhe Coman, me futbollistët e Hoffenheimit që s’mundën të bënin asgjë për të ndryshuar fatin e kësaj sfide.

Vijon me hapin e Bayernit edhe Dortmundi, që fitoi 3-1 në fushën e Arminias së Bielefeldit, ku mungoi për arsye fisike Haaland. Mungesa e norvegjezit nuk u ndie në fushë, pasi verdhezinjtë e dominuan sfidën, duke shënuar me Emre Can që në minutën e 31-të me 11-metërsh, ndërsa në fundin e fraksionit hapës realizoi Hummels.

Talenti anglez Bellingham i çoi shifrat në 0-3 në të 72-tën, ndërsa golin e nderit për Arminian e realizoi Klos me penallti tri minuta para përfundimit të kohës së rregullt. Nuk ndryshon asgjë sa i përket kreut të renditjes, me Bayernin që vijon të jetë i pari me 22 pikë, ndërsa Dortmundi ndjek me vetëm një pikë më pak.

Fitore edhe për Herthen e Berlinit, që triumfoi minimalisht në “Olympiastadion” përballë Borussias së Monchegladbachut me gol të Marco Richter në minutën e 40-të, sukses që u jep mundësi berlinezëve të parakalojnë në renditje pikërisht Gladbachun.


Top Channel

Lajme interesante

You may also like