Batatina: Është koha për trofeun e madh

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Sezoni pranveror i Superligës së Kosovës në futboll do të nis më 12 shkurt dhe tashmë skuadrat janë duke i vijuar përgatitjet për të qenë në formë sa më të mirë në mënyrë që të përballohet me sukses vazhdimi i kampionatit i cili në pjesën e parë të tij u tregua shumë i fortë.

Gjilanin e mbylli pjesën e parë të kampionatit 2021/22 si kampion vjeshtor me 35 pikë në vendin e parë, por lufta për titull është jashtëzakonisht e ashpër.

Drita, Ballkani dhe Llapi janë skuadrat që po e ndjekin këmba këmbës skuadrën e trajnerit Ismet Munishi dhe kur kanë mbetur edhe rreth tri javë deri te starti i sesionit pranveror, trajneri i Llapit Tahir Batatina ka lëshuar një paralajmërim direkt për të gjithë kundërshtarët në luftën për titull.

Duke iu përgjigjur një analize të bazuar në statistika për arritjet e tij të mëdha në kohët e fundit me Llapin, Batatina ka shkruar se “Është koha për trofeun e madh”.

Në fakt, pasi e fitoi Kupën dhe Superkupën e Kosovës në edicionin e kaluar, nënkuptohet që synimi i qartë i Batatinës është titulli i kampionit të Kosovës, gjë të cilën ai nuk e ka fshehur asnjëherë që para se të fillonte kampionati.

Edhe pse e kishte nisur sezonin jo në mënyrën më të mirë, Llapi bëri një këndellje të madhe duke u futur shumë shpejtë në garën e ngushtë për titull dhe tani skuadra e Batatinës është vetëm gjashtë pikë prapa liderit të tabelës, Gjilanit.

Pra, Tahir Batatina jep sinjalin që lufta për titullin kampion do të jetë e zjarrtë në stinorin pranveror të Superligës.

You may also like