Barcelona duket se do të përfitojë financiarisht nga lëndimi i rëndë i Gavit, që e pësoi vitin e kaluar sa ishte me kombëtaren spanjolle.
Mesfushori i ri ka qenë jashtë fushave të blerta që nga nëntori i 2023-s, kur u lëndua në takimin ndaj Gjeorgjisë.
Ai mungoi për pjesën tjetër të sezonit 2023/24 dhe nuk arriti të jetë pjesë e suksesit të “Stuhisë së Kuqe” në Gjermani.
Lojtari spanjoll u rikthye në stërvitje të lehta gjatë parasezonit, derisa tash “Mundo Deportivo” raporton se Gavi mund të jetë pjesë e skuadrës së Barçës më 20 tetor, për përballjen ndaj Sevillas.
Pos rikthimit të Gavit në fushën e blertë pas 335 ditësh, raportimi i mediumit spanjoll bën me dije se klubi i Barcelonës do të përfitojë edhe në mënyrë financiare.
Si pjesë e Programit të Mbrojtjes së Klubeve, FIFA do t’i paguajë Barcelonës një shumë prej 6 milionë euro.
Kjo është shumë është kalkuluar në bazë të mungesës së tij për klubin, që nga dhjetori i 2023-s.
Në raportim thuhet se 4.6 milionë euro tashmë veçse i janë paguar klubit katalunas në qershor të 2024-ës, shumë kjo që është vendosur në financat e sezonit të kaluar.
Ndërkohë, pjesa tjetër prej 1.6 milion euro është paguar në korrik dhe numërohet si fitim i sezonit të ri.
Më herët gjatë kësaj vere, PSG-ja po mendonte transferimin e Gavit, megjithatë Barcelona e refuzoi këtë ofertë, duke bërë me dije edhe një herë se nuk do ta shesë një nga asetet e klubit e që ka kontratë deri më 2026, me një klauzolë lirimi prej 1 miliard eurosh.