“Ballkani rëndësi strategjike për NATO-n”, Jens Stoltenberg: Po shqyrtojmë ofertën për bazë detare në Durrës

by admin
Spread the love

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se po shqyrtohet mundësia e ngritjes së një baze detare në Porto Romano

Ai ka dhënë një intervistë për mediat malazeze dhe është pyetur mbi propozimin që ka bërë qeveria shqiptare, që të ngrihet një bazë e NATO në Durrës. Ai ka thënë se NATO po e shqyrton mundësinë, teksa shtoi se Ballkani Perëndimor shihet me interes prej tyre.

Mirëpresim ofertat e aleatëve për vendosjen e objekteve të NATO-s. Ekspertët tanë duhet të shikojnë të gjitha ofertat e tilla dhe më pas të japin këshilla në varësi të kushteve ushtarake. Koncepti i ri Strategjik i NATO-s, i cili u miratua në Samitin e Madridit, konfirmoi edhe një herë rëndësinë strategjike të Ballkanit Perëndimor për aleancën tonë. NATO do të vazhdojë të promovojë stabilitetin, sigurinë dhe bashkëpunimin në rajon, duke përfshirë përpjekjet e përditshme të KFOR-it, selisë sonë në Sarajevë dhe zyrës në Beograd. Siguria dhe stabiliteti në Ballkanin Perëndimor është e rëndësishme për NATO-n dhe për paqen dhe stabilitetin në Evropë”, tha Stoltenberg.

I pyetur nëse është i shqetësuar për stabilitetin afatgjatë të Kosovës, Stoltenberg tha se ka diskutuar me lidershipin e Prishtinës dhe Beogradit për tensionet në veri dhe shtoi se të dyja palët duhet të qëndrojnë të qetë, të shmangin veprimet e njëanshme dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive në dialogun e ndërmjetësuar nga BE.

Në përputhje me mandatin e tij të OKB-së, misioni i KFOR-it po monitoron nga afër situatën dhe është i gatshëm të ndërhyjë nëse kërcënohet stabiliteti i Kosovës”, tha ai.

Rruga Press

You may also like