Ballafaqim brezash, apo luftë për pozita? – Shqip

by admin
Spread the love

Këngë patriotike, fjalë të urta dhe këshilla “miqësore”

Beteja mes kushtimisht thënë gjeneratës së re dhe gjeneratës së vjetër në BDI vazhdon.
Këta më të moshuarit, por të lënë anash nga Ahmeti në përbërjen e fundit qeverisëse, dy ditë më parë zhvilluan aktivitete në terren, ku edhe dërguan kritika të ashpra për përfaqësuesit në ekzekutiv.
E porositën Ahmetin që mos ta djeg jorganin për një plesht.

E Grubi, u përgjigj me video ku Ahmeti shihet se është i disponuar dhe këndon këngën e Keqë Hysenit.

Ky gjest i Grubit nuk i pëlqeu aspak grupit të pakënaqur brenda BDI-së. Njëri nga zërat më të zëshëm kritik, u kundërpërgjigj.

“Të inçizosh Ali Ahmetin duke kënduar dhe pastaj ta publikosh të njëjtin inçizim, për të defokusuar opinionin prej problemit të vërtetë, është keqpërdorim i paturpshëm i figurës së tij…Të inçizosh Ali Ahmetin dhe të ruash këto video për t’i shfrytëzuar kur të konvenon ty është jokorrekte dhe duket se nuk është hera e parë që po ndodh. BDI patjetër duhet të çlirohet nga uzurpatorët, mercenarët dhe të paaftët!”, tha Izet Mexhiti.

E për dallim nga Grubi, i cili gjen metoda të ndryshme për ta provokuar këtë grup, Osmani sot u tregua më i matur. Kemi organet partiake për të diskutuar për këto çështje, nëse vazhdojmë me komente në publik, ku do ta gjejmë kohën për të punuar, tha ai.

E sa i përket resorit ministror që ai e udhëheq, Osmani u lavdërua se Ministria e Punëve të Jashtme ka qenë lartë e vlerësuar nga Komisioni Evropian.

“Vlerësimin e punës së Ministrisë së punëve të jashtme e bëjnë institucione objektive siç është për shembull Komisioni evropian. Mendoj që Komisioni evropian është vlerësuesi më objektiv për punën e disa institucioneve, posaçërisht në kushte kur kanë nisur bisedimet. Kushdo tjetër që të bën vlerësim ka një dozë të subjektivitetit. Vetëm Komisioni evropian bën vlerësim në përputhshmëri me disa parametra objektive. Unë mburrem me Ministrinë e punëve të jashtme për punën e bërë në vitin 2022 sepse është institucioni i vetëm që mori vlerësimin më të mirë, gjegjësisht përparim të madh drejt realizimit të qëndrimeve.”, deklaroi Bujar Osmani.

Përveç Izet Mexhitit, edhe Merita Koxhaxhiku dhe Kastriot Rexhepi janë pjesë e këtij grupi. Sipas informatave nga institucioni ligjdhënës, grupi i të pakënaqurve brenda BDI-së i ka votat për ti shkarkuar ministrat, mirëpo, në konferencën e fundit për media, ata thanë se janë të kënaqur nga kursi politik i qeverisë dhe nga arritjet në procesin integrues./KlanMacedonia

Përgatiti: Furkan Saliu

You may also like