Babai i Elenës thyen heshtjen: Mamaja nuk është e çmendur, ishte një krim i studiuar

by admin
Spread the love

Flet babai i Elenës 5-vjeçare që u vra nga mamaja: Nuk ishte çmenduri, por krim i studiuar. Martina është një monstër, nuk e meritonte vajzën tonë

Disa ditë pasi ishte mbyllur në dhimbjen e tij, ka thyer heshtjen babai i Elena Del Pozzo, vajzës 5-vjeçare që u vra nga nëna e saj në një provincë të Katanias. Alessandro, në një mesazh të gjatë thekson se Martina (nëna vrasëse) nuk është e çmendur, por që ka bërë një krim me “paramendim dhe të studiuar në çdo detaj”.

“Jam shkatërruar dhe ndjej një boshllëk të pakalueshëm brenda. Gjithmonë i kam premtuar vajzës sime se do ta mbaj të sigurte si çdo baba i mirë, do të jap jetën time për të. Një vrasje në të cilën njeriu krijon një alibi dhe fsheh trupin nuk mund të jetë një gjendje çmendurie. Martina është një përbindësh që nuk e meritonte një vajzë si Elena, që ishte e veçantë dhe unike në gjithçka”, ka thënë babai i Elenës, Alessandro Del Pozzo.

Më tej ai vijon duke u shprehur: “Kurrë dhe e përsëris, kurrë, nuk mund të mendoja se duhej ta kisha mbrojtur nga e ëma”.

Fjalët e tij babai i Elenës i ka shkruar në një mesazh që ia ka besuar motrës së tij, Vanesës.

“Të gjithë flasin për dashurinë e nënës, por askush nuk flet kurrë për sakrificat që bën një baba. Elena jeton çdo ditë në zemrën time. Vrasje me paramendim dhe 24 orë gënjeshtra. Kam dëgjuar për çmenduri dhe xhelozi morbide, por nuk kam dëgjuar për keqdashje dhe sadizëm”, pohon Alessandro Del Pozzo.

“Ajo as nuk është penduar që vrau vajzën tonë! Madje e futi Elenën në një thes plehrash dhe e groposi, shpiku edhe rrëmbimin duke krijuar një alibi dhe goditi makinën e saj për të inskenuar një agresion: 24 orë gënjeshtra”.

You may also like