“Automjetet elektrike nuk janë mënyra e vetme për të arritur objektivat e CO2”

by admin
Spread the love

Automjetet elektrike nuk janë e vetmja rrugë efikase për të reduktuar emetimet e karbonit që prodhohen nga industria automobilistike – deklaroi të martën shefi i ligës automobilistike italiane.

Teknologji të tjera mund të ndihmojnë në dekarbonizimin e industrisë, duke arritur të njëjtat objektiva të emetimeve dhe duke ruajtur know-how dhe vendet e punës në Itali – deklaroi Paolo Scudieri, president i shoqatës së industrisë automobilistike ANFIA.

“Këtu i referohem kontributit konkret që biokarburantet dhe karburantet sintetike, si dhe hidrogjeni mund të ofrojnë”, – tha Scudieri, i cili çeli asamblenë publike të ANFIA. Ai shtoi se industria automobilistike italiane po bën investime të mëdha te hidrogjeni.

Biokarburantet dhe lëndët djegëse sintetike, të njohura si e-fuel, – po zhvillohen për të lejuar vijimin e përdorimit të versioneve të modifikuara të motorëve me djegie, në vend të një kalimi në masë tek automjete elektrike me bateri (BEV).

Scudieri tha se përqendrimi ekskluzivisht te teknologjia BEV, e cila dominohet nga prodhuesit aziatikë, mund të vërë në rrezik rreth 73 mijë vende punë në Itali në vitet e ardhshme, të cilat nuk do të kompensohen nga rreth 6 mijë vende të reja pune që parashikohet të krijohen në lëvizshmërinë elektrike. Ai shtoi se rreth 450 prodhues të pjesëve të makinave në Itali, nga 2200 gjithsej, rrezikojnë të falimentojnë, pasi nuk kanë filluar ende ta zhvendosin prodhimin drejt teknologjisë elektrike.

Komisioni Europian ka propozuar reduktimin me 100% të emetimeve të CO2 brenda vitit 2035 për industrinë. Objektivi i nisur vitin e kaluar, i cili është pjesë e një pakete më të gjerë të politikave mbi ndryshimet klimatike, do ta bënte të pamundur shitjen e automjeteve të reja me lëndë djegëse fosile në bllokun prej 27 vendesh.

Javën e ardhshme, Parlamenti Europian do të hapë një debat mbi një sërë politikash klimatike, duke përfshirë një plan për të ndaluar efektivisht makinat me motor me djegie deri në vitin 2035.

Scudieri tha se nuk kishte një qëndrim mbizotërues midis grupeve të ndryshme politike brenda Parlamentit Europian.

“Çdo votë do të ketë rëndësi dhe dëshira ime është që eurodeputetët tanë të votojnë duke pasur parasysh edhe interesat e vendit”, deklaroi ai.

/ Reuters


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Monitor “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit original.

You may also like