Atalanta dhe Milani bëjnë paqe, barazim edhe midis Bolognas dhe Veronës

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Nuk ka fitues në supersfidën e javës së dytë të Serie A midis Atalantës dhe Milanit. Kampionët në fuqi janë ndalur në transfertë në sfidën që përfundoi me rezultatin 1-1. Golit të Malinovskit, iu përgjigje Bennacer duke bërë që ekipet në fund të ndanin nga një pikë.

Ndeshja nis e balancuar me të dyja ekipet që provojnë të prishin ekuilibrat e takimit. Megjithatë, për të parë golin e parë të ndeshjes duhet të vijë minuta e 29. Ruslan Malinovski harrohet në limitet e zonës dhe me një goditje të bukur mposht portierin Maignan. Me rezultatin 1-0 përfundon edhe pjesa e parë.

Ndërkohë që në pjesën e dytë Milani është më kërkues dhe futet më shumë në aventurë për të gjetur golin e barazimit. Ka më shumë hapësira në fushë dhe të dyja ekipet prodhojnë raste të një pas njëshme. Megjithatë, goli vjen nga skuadra e Milanit që baraspeshon gjithçka me Ismael Bennacer. Ky i fundit lëviz mirë në zonë dhe me një goditje në cepin e portës çon topin në rrjetë.

Trajnerët hedhin në fushë forca të freskëta për të fituar ndeshjen, por asnjë nuk tregohet i qartë përpara portës. Kështu, sfida në fund përfundon në barazim 1-1 me të dyja ekipet që ndajnë nga një pikë.

Po në 1-1 është mbyllur edhe sfida tjetër e mbrëmjes midis Bolognas dhe Hellas Verona. Vendasit zhbllokojnë rezultatin pas 21 minutash lojë me anë të Arnautovic.

Baraspesha vendoset në fundin e pjesës së parë pas golit të Thomas Henry. Bologna gjen sërish rrugën e rrjetës, këtë herë me anë të Orsolinit, por gjyqtari anulon gjithçka pas konsultimit me sistemin VAR.

Në pjesën e dytë, Bologna luajti me 10 lojtarë pas ndëshkimit me karton të kuq të Ricardo Orsolinit. Verona u përpoq të përfitonte nga epërsia numerike në fushë, por në fund sfida përfundon në paqe me ekipet që ndajnë nga një pikë. /oversport.tv

Foto: AC Milan, Twitter

You may also like