Asociacioni i Komunave i jep afat Qeverisë deri më 5 shtator t’i ekzekutojë pagat, Ibrahimi: Komunat po dëmtohen nga arroganca

by admin
Spread the love

Mosekzekutimi
i plotë i pagave për punonjësit e sektorit arsimor para-universitar dhe
administratës komunale, ka qenë shqetësimi kryesor i Asociacionit të Komunave
të Kosovës në takimin e mbajtur të enjten pasdite, raporton Ekonomia Online.

Kryetari i
Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, tha për Ekonomia Online,
se përgatitjet për fillimin e ri shkollor janë bërë nga komunat e Kosovës por
që shkaku i grevës kjo nuk ka ndodhur. Ai ka adresuar kritika ndaj palëve, për të
cilët tha se nuk po dialogojnë në mënyrë që të gjejnë një zgjidhje.

“Pas
deklaratave të ministrit të Financave, Hekuran Murati sa i përket pagesës së
pjesshme ndaj shërbyesve civil në nivel lokal, Bordi i Asociacionit të Komunave
të Kosovës, ftoi Këshillin e Kryetarëve për një takim urgjent. Takimi është
mbajtur dje ku përfaqësuesit e 22 komunave të Kosovës kanë marrë pjesë, dhe në
atë takim të gjithë kryetarët kanë shprehur një shqetësim të sinqertë sa i
përket situatës së krijuar. Gjithë kryetarët janë deklaruar një zëri se
përgatitjet sa i përket fillimit të ri shkollor kah aspekti teknik dhe në
kuadër të kompetencave të komunave janë kryer dhe e kanë mirëpritur fillimin e
vitit të ri shkollor, mirëpo për shkak të situatës së krijuar të grevës, 1
shtatori nuk ishte ditë feste për nxënësit që të ulën në bankat shkollore”, tha
Ibrahimi.

Nga ky
takim, Ibrahimi ka thënë se nivelit qendror i kanë dhënë afat deri më 5 shtator
që të ekzekutohen pagat, në të kundërtën, do të ndërmarrin hapat tjerë ligjorë.

“Shqetësim
ishte edhe pagesa parciale e pagave ndaj shërbyesve civil. Duhet theksuar që në
nivelin lokal, pagë nuk kanë pranuar as kryetarët e Komunave, as nënkryetarët,
as drejtorët komunal e as zyrtarët tjerët komunal. Pagë nuk kanë pranuar as
punonjësit e Qendrave për Punës Sociale e kështu më radhë. Pra ky është një
dallim që është bërë nga niveli qendror dhe ky dallim në paga po ndodh për herë
të parë në Kosovën e pasluftës. Kryetarët kanë bërë thirrje që deri më 5
shtator, pagat të dalin, përndryshe kryetarët e Komunave janë zotuar që do të
mbajmë edhe një takim dhe do të shohim për veprimet e mundshme ligjore”, tha ai.

“Ka presion
të jashtëzakonshëm nga niveli qendror ndaj nivelit lokal sa i përket listave të
grevistëve. Komunat janë në grevë, Listat e pagave për muajin gusht janë
dorëzuar deri më 10 gusht, listat për muajin shtator do të dorëzohen më 10
shtator, nëse ka kush t’i dorëzojë sepse administrata është në grevë, dhe për
këtë arsye kontratat janë të nënshkruara se institucioni përgjegjës për dhënien
e pagës, është komuna dhe është e obliguar që deri më 5 të çdo muaji t’ia
paguajë pagën punëtorit dhe nëse kjo nuk ndodh, ka mundësi që të ndërmerren
hapa të tjerë ligjore. Ka pas propozime të ndryshme, mirëpo dakordimi është se
cila do të jetë veprimi i Qeverisë sepse ne mendojmë se Qeveria e ka barrën
kryesore për zgjidhjen e këtij problemi dhe po shpresojmë që gjatë këtyre
ditëve do të ketë hapa pozitiv sa i përket zgjidhjes së këtij problemi”, tha
Ibrahimi.

Ibrahimi ka
kërkuar nga kryeministri Kurti që të dialogojë me palët e përfshira në këtë
rast.

“Është obligim i kryeministrit të fillojë dialog, nëse ministrat e kësaj Qeverie nuk janë të denjë t’i zgjidhin këto probleme dhe me arrogancën e tyre, e “qojnë ujin në mulli të turbullt”, atëherë kryeministri duhet të reagojë sepse e ka e obligim institucional që ta mbajë qetësinë publike në Kosovë”, tha ai.

You may also like