Asgjë, si arti s’mund të na i rrëfejë vuajtjen dhe shpresën! Renuar Locaj sjell ekspozitën me imazhet më të veçanta njerëzore

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Një ekspozitë tejet të veçantë ka sjellë në mjediset e Muzeut Kombëtar, fotografi Renuar Locaj. Imazhet e tij sjellin një realitet tjetër, atë të emigrantëve nga Lindja që e përdorin Shqipërinë si tranzit për të kaluar ilegalisht në shtetet e tjera europiane.

Imazhet që ka fiksuar Renuari, i përkasin njerëzve kryesisht nga  Siria, Afganistani, Sudani, Iraku, Egjipti dhe Maroku. Secili imazh flet historinë e tij, por ëndrra mbetet e njëjtë: Shpresa për një jetë më të mirë.

Fotot reflektojnë dhimbjen, sakrificën, por edhe shpresën për të ardhmen, një reflektim njerëzor rreth jetës, individit dhe shoqërisë, ndërsa ekspozita vjen si një bashkëpunim me Caritas Albania, UNHCR, Caritas Austria dhe Caritas Italia.

Në fjalimin  e tij, Locaj thotë se këta emigrantë ishin modelet e përkryera për fotografi, sepse ata e donin jetën.

“Takimi me këta njerëz, historitë e të cilëve po i sjellim në këtë ekspozitë me kane bere te reflektoj. Disa prej këtyre fëmijëve bënin rolin e prindit, ndërkaq disa prindër, të lodhur e të dërmuar nga uria e vështirësitë e rrugëve të gjata, për nga ndjeshmëria ua kalonin edhe fëmijëve. Në përjetimet e tyre unë pashë përmbysjen e çdo gjëje që unë, ne këtu, e marrim si të mirëqenë. Përballë tyre nisa të pyes, vallë sa i fortë vërtet është njeriu, a ka çmim liria, a ka fund përpjekja e njeriut për një jetë më të mirë? Gjëra që të gjithë ne, në rehatinë e realitetit tonë, i cilësojmë si klishe. Jeta, dëshira për jetë, dëshira për të jetuar prej së vërteti, pra diçka përtej mbijetesës fizike, është motivi që unë lexova në fjalët që ata nuk m’i thoshin, në shikimet që ata i fshihnin prej meje, në trishtimin që fshihej prapa çdo loje fëmijësh”, është shprehur fotografi i njohur.

Fotografia është një nga format e komunikimit më të forta në botë dhe mund të jetë faktor ndryshimi për këtë fenomen./revistawho.com

You may also like