Asambleisti i VV-së në Pejë propozon që kafiteria “Panda” të shndërrohet në “Muzeun e së vërtetës” (VIDEO)

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Berat Ganiqi, në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Pejës ka kërkuar që kafiteria “Panda” të shndërrohet në muze.

“Më datën 14 dhjetor 1998 në kafiterinë Panda në Pejë, janë vrarë gjashtë të rinj serbë. Pas vrasjes së këtyre të rinjve, forcat e regjimit serb kanë arrestuar e maltretuar dhjetëra shqiptarë, ku në mesin e tyre më së keqi e ka pësuar bashkëqytetari ynë Behar Bajri”, tha ai.

Ganiqi tha se vite më vonë pasi kishte ndodhur ngjarja, prokurori i atëhershëm i Pejës, Vojsllav Shoshkiq i transferuar në Prokurorinë për Krime të Luftës kishte deklaruar se nuk ka ekzistuar asnjëherë ndonjë lëndë në lidhje me rastin “Panda” në prokurorinë e atëhershme të Pejës apo në atë të Serbisë të pasluftës.

“Sipas disa raporteve thuhet se me të njëjtën armë që janë vrarë të rinjtë serb, dyshohet se një muaj më herët para vrasjes së tyre – në nëntor të 1998 është vrarë edhe doktori i njohur nga Peja, Nuredin Zejnullahu, ndërsa me po të njëjtën armë dyshohet të jetë vrarë në vitin 2008 edhe një polic ukrainas në veri të Mitrovicës”, tha tutje Ganiqi.

Ai tha se edhe presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq kishte deklaruar se prapa vrasjes të së rinjve serb – nuk qëndrojnë shqiptarët.

“Duke mos dashur që ta harrojmë historinë që ka ndodhur në rastin “Panda” ku ne e dimë që dhunë fizike e psiçike kanë pësuar Vllaznim Pergjegjaj, Agron Kollçaku, Gazmend Bajrami, Xhevdet Bajrami, Beqir Loxha dhe Behar Bajri, propozoj që Komuna e Pejës së bashku me kryetarin Gazmend Muhaxheri me të marrin masa dhe objektin e kaifterisë “Panda” ta shpronësojnë, ta marrin në posedim dhe ta shndërrojnë në muze”, tha ai.

Ganiqi ka thënë se në këtë muze do të përshkruhen “trillimet e shtetit serb dhe maltretimet e shqiptarëve në emër të një krimi që e kishin bërë vet serbët”.

“Poashtu kishte me qenë mirë që ky të quhet “Muzeu i së Vërtetës”, ngase këtë ngjarje Serbia dëshironte ta mbulonte për masakrat që i kryente në Kosovë. Kafiteria “Panda” është turpi dhe gënjeshtra më e madhe serbe, ndërsa për shqiptarët simbolizon dhunën dhe maltretimin, dhe për Beharin pikërisht kjo histori e trilluar e la me probleme për gjithë jetën”.

Shikoni në videot e mëposhtme dy storie të realizuara nga Klan Kosova lidhur me këtë rast:

Si u torturua Behar Bajri, pas pasur faj për rastin “Panda”? (14 dhjetor 2021)

“Panda”, familjarët: Serbia e din kush na i vrau djemtë (14 dhjetor 2016)

 

You may also like