Arsenali ka triumfuar 2-0 në shtëpi përballë Paris Saint-Germainit në kuadër të rrethit të dytë të fazës së ligës në Ligën e Kampionëve.
Topçinjtë e nisën më mirë takimin, duke rrezikuar qysh në minutën e nëntë me anë të Bukayo Sakas, kur lëshoi një goditje që shkoi afër shtyllës së majtë.
Në minutën e 20-të, Kai Havertz kaloi Arsenalin në epërsi, kur realizoi për 1-0 me kokë, duke mposhtur Gianluigi Donnarumman.
PSG filloi të tregonte më shumë nga loja e tyre, ndërsa Nuno Mendes goditi shtyllën në minutën e 28-të, shkruan Telegrafi.
Tre minuta më vonë, Achraf Hakimi nuk ia doli të mposhte David Rayan, që bëri një pritje bravuroze.
Bukayo Saka realizoi një gol të bukur nga gjuajtja e lirë në minutën e 35-të, pasi u shkaktua një rrëmujë në zonën e PSG-së dhe Donnarumma u zu në befasi.
Pjesa e dytë ishte po ashtu e mbushur me raste, por që rrjetat e asnjërës skuadër nuk u tundën.
Në minutën e 51-të, Martinelli lëshoi një mundësi të artë shënimi, por edhe që Donnarumma bëri një pritje fantastike.
Hakimi (60’) kërkoi penallti, pasi u rrëzua në zonë nga një lojtar i Arsenalit, por gjyqtari sinjalizoi se loja duhet të vazhdojë.
Gjashtë minuta më vonë, Joao Neves lëshoi një goditje të fuqishme, por që topi u ndal nga traversa.
Në minutën e 75-të, Martinelli sërish shpërdoroi një mundësi të mirë shënimi, me Donnarumman që sërish ishte i vëmendshëm.
Tre minuta kaluan dhe kishte dyshime se Riccardo Calafioir kishte luajtur me dorë brena zonës, por pas rishikimit në VAR nuk kishte 11 metërsh.
Në minutën e 87-të, Randal Kolo Muani u rrëzua në zonë, por gjyqtari Slavko Vincic nuk dha penallti, as pas rishikimit në VAR, përkundër se lojtarët mysafirë protestuan.
Arsenali tani shkon në kuotën e katër pikë, ndërsa PSG mbetet me tri sosh.
Skuadra londineze në rrethin e tretë takohet me Shakhtar Donetskun, ndërsa PSG do të ketë punë me PSV-në.