Arrihet marrëveshja shmanget konflikti/ Detajet e kompromisit Kosovë-Serbi në Bruksel – Shqip

by admin
Spread the love

Pas dy ditësh plot tensione dhe përplasje në Bruksel delegacionet e Kosovës dhe Serbisë kanë arritur një marëveshje in ekstremis për të shmangur një konflikt që mund të përshkallozohej rrezikshëm në kufirin e Kosovës Veriore, në pikat e Jarinjës dhe Bërnjakut. 

“Ne e kemi një marrëveshje. Pas dy ditësh negociatash intensive” lajmëroi i pari negociatori i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Në thelb të marrëveshjes qëndron dakordësia për të tërhequr nga zona e konfiktit trupat e njësisë speciale policore të Kosovës, njëkohësisht me çbllokimin e rrugës nga kamionët e protestuesve serbë.Kjo do të ndodhë tështunën në 2 tetor nga ora 8:00 e mëngjesit dhe duhet të përfundojë maksimalisht deri në orën 16:00. Për garanci që kjo do të realizohet në këtë zonë do të futen trupat ushtarake ndërkombëtare të KFOR-it.

Kjo është marrëveshja për sa i takon anës së sigurisë. Por ajo parashikon se si do të zgjidhet edhe problemi i targave i cili u kthye në një mollë sherri pasi qeveri Kurti vendosi të zbatojë parimin e reciprocitetit me Serbinë. Të hënën e 20 shatatorit qeveria e Kosovës vendosi që gjithë veturave me tagra serbe që kalonin në territorrin e saj tu vihej një targë provizore që kushtonte 5 euro, pasi prej kohësh edhe Beogradi aplikon një masë të tillë. 

Lidhur me këtë konfrontim, marrëveshja parashikon vendosjen e reciporocitetit pasi Serbia do të vazhdojë të mbulojë simbolet e kosovës në targat e veturave të saj, por të njëjtën gjë do të bëjë edhe Kosova me automjetet serbe.   

“Nga 4 tetori, do të nisë së zbatuari regjimi i letrave ngjitëse, siç është rënë dakord në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE si një masë e përkohshme derisa të arrihet një zgjidhje e përhershme” thuhet në pikën 2 të tekstit të marrëveshjes. Për një zgjidhje përfundimtare do të vijojnë bisedimet pas datës 21 tetor në Bruksel.

Kryeministri kosovar e ka cilësuar këtë marrëveshje si një fitore të masës së reciprocitetit të vendosur prej tij dhjetë ditë më parë: “Meqë ata do të largohen, njësia jonë speciale nuk ka pse qëndron atje, dhe mbetet gjithnjë e gatshme për ndërhyrje në çfarëdo cenimi të njëjtë apo të ngjashëm në të ardhmen. Natyrisht, policia jonë kufitare në vijim do të zbatojë reciprocitetin e targave. KFOR-i do të qëndrojë aty, rreth dy javë, që gjithçka të jetë e sigurt”, ka shkruar Kurti në Facebook. 

Nga ana e tij edhe presidenti i Serbisë Vuçiç e quajti fitore për të marëveshjen e arritur. Ai nënvizoi faktin se nuk do të ketë më targa të përkohshme, as heqje të targave (pasi u vendos vetëm bullimi i simboleve të tyre), e “sidomos jo heqje të targave KM (Kosovska Mitrovica) të lëshuara nga Beogradi” theksoi ai.

Marrëveshjen në mes të dy vendeve në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, e ka mirëpritur edhe Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, duke e cilësuar atë si një lajmë shumë të mirë për rajonin.

“Është një zhvillim shumë pozitiv pas takimeve të mia me presidentin Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti. Është mirë për gjithë rajonin. Dialogu duhet të vazhdojë”, ka shkruar von der Leyen në Twitter.

I gjithë konflikti filloi në 20 shtator kur veturat që deri më athere mbanin targa të Serbisë, u detyruan t’i zëvendësojnë ato me “RKS”, targa të Republikës së Kosovës”, nëse kërkonin të qarkullonin brenda territorit të Kosovës.

Pas vendosjes së masave të reciprocitetit, qytetarë serbë u grumbulluan afër pikave kufitare në Veri, duke i bllokuar rrugët me kamionë si shenjë proteste ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës.

Serbia, me anë të helikopterëve ushtarak e avionëve të prodhimit rus MIG-29 provokoi situatën në veri të vendit.

Si pjesë e kërcënimeve, Serbia dërgoi një divizion të tankeve në afërsi të kufirit Kosovë – Serbi nga qyteza e Rashkës.

©Shqip

You may also like