Arrihet marrëveshja Kosovë-Serbi për dokumentet, qytetarët do udhëtojnë lirshëm

by admin
Spread the love

Kosova dhe Serbia kanë zgjidhur mosmarrëveshjen për lëvizjen e qytetarëve të tyre përtej kufijve, njoftoi sot shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Borrell thotë se Serbia është pajtuar të heqë dokumentet për hyrje-daljet për qytetarët me letërnjoftime të Kosovës dhe se Kosova është pajtuar që të mos lëshojë dokumente të tilla për qytetarët që posedojnë karta të identitetit të Serbisë”.

Shefi i BE-së e cilëson arritjen e marrëveshjes si një zgjidhje historike.

“Sipas Dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, Serbia ra dakord të shfuqizojë dokumentet e hyrjes/daljes për mbajtësit e ID-së së Kosovës dhe Kosova u pajtua që të mos i prezantojë ato për mbajtësit e ID-së serbe. Serbët e Kosovës, si dhe të gjithë qytetarët e tjerë, do të mund të udhëtojnë lirshëm ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duke përdorur letërnjoftimet e tyre. BE-ja sapo mori garanci nga kryeministri Kurti për këtë”, shkruan Borrell në Twitter.
Vendimi i 26 qershorit i Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe rriti tensionet në veri të vendit.

Më 31 korrik dhe 1 gusht, serbët lokalë vendosën barrikada në rrugë në shenjë pakënaqësie për këto dy vendime. Kosova më pas shtyu zbatimin e tyre deri më 1 shtator.

Por, bashkësia ndërkombëtare u angazhua për të bindur palët që të arrinin marrëveshje për të shmangur përshkallëzimin e situatës më 1 shtator, kur duhej të hynte në fuqi vendimi për dokumentet serbe, por edhe për targat.

Kosova për disa orë më 1 gusht zbatoi vendimin për dokumentin për hyrje-dalje, derisa serbët hoqën barrikadat.

Prishtina ka argumentuar se lëshimi i një dokumenti të tillë u bë duke respektuar një marrëveshje që Kosova dhe Serbia kishin arritur më 2011, në kuadër të dialogut. Serbia që nga ajo kohë kishte lëshuar një dokument të tillë për të gjithë shtetasit e Kosovës.

Lexo lajme interesante

You may also like