Arrestohen dy persona, dyshohet se iu shitën bashkatdhetarëve bileta fiktive

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Dy persona janë arrestuar nën dyshimin se iu kanë shitur bashkatdhetarëve bileta fiktive.

Në aksionin e kryesuar nga Prokuroria Themelore e Prishtinës dhe në koordinim me policinë dhe Administratën Tatimore të Kosovës, në Prishtinë dhe Podujevë janë arrestuar dy bashkëpronarë të Agjencionit Turistik “Prishtina Jet”.

M.K dhe A.B, janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, përcjell Klankosova.tv.

Biletat ishin shitur me çmime shumë më të lira sesa çmimi real dhe këto fluturime nuk ishin realizuar asnjëherë.

Përpos dëmeve financiare, mërgimtarëve iu është shkaktuar stres dhe maltretim.

“Personat e lartcekur dyshohen se, përmes paraqitjes së fakteve të rreme, pra përmes Agjencisë Turistike “Prishtina Jet”, u kanë shitur të dëmtuarve/bashkatdhetarëve bileta fiktive për udhëtim me aeroplan nga shtetet e perëndimit në Kosovë me një çmim shumë më të lirë se sa çmimi aktual, e të cilat fluturime nuk janë realizuar edhe përkundër pagesave që janë bërë nga të dëmtuarit, çka me këtë të dëmtuarve përpos dëmeve financiare u kanë shkaktuar edhe keqtrajtime psiqike, duke u maltretuar me familjarët e tyre nëpër aeroporte të ndryshme për realizimin e fluturimeve të premtuara rrejshëm nga të pandehurit”.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se pas zhvillimit të masave të fshehta dhe teknike të hetimit dhe vëzhgimit, në koordinim me Policinë dhe ATK-në, si dhe pas aprovimit të gjyqtarit të procedurës paraprake, nën udhëheqjen e Prokurorit të Shtetit, sot është realizuar një aksion në Prishtinë dhe Podujevë, me ç’ rast janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje të dyshuarit M.K. dhe A.B., bashkëpronar të Agjencionit Turistik “Prishtina Jet”, për shkak të dyshimit se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Mashtrimi”, të paraparë sipas KPRK-së dhe nga kjo bastisje e realizuar janë gjetur e sekuestruar prova të cilat do të shërbejnë në procedurën penale”.

“Të njëjtit me urdhër të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, derisa ndaj tyre do të ndërmerren veprimet e mëtejme procedurale ligjore, si dhe, veprime hetimore ndaj rastit në fjalë, deri në epilogun përfundimtar të kësaj çështje penale”.

You may also like