Armend Muja e zvarriti shqyrtimin e tërheqjes nga Trusti deri në ditën e fundit, Haxhiu thotë se shkeli rregulloren

by admin
Spread the love

Projektligji për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale do të shqyrtohet, më në fund, javën e ardhshme.

Në mbledhjen e komisionit që do të mbahet më 25 maj, tashmë në rend të ditës është edhe tërheqja 30% e parave nga Trusti i Kursimeve Pensionale

Dy partitë opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që sa më shpejt ta sjellë në Kuvend këtë projektligj për shqyrtim, meqë është nevojë emergjente për shumë qytetarë tërheqja e këtyre parave.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, nuk po zmbrapset nga iniciativa që u mundëson qytetarëve tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti.

Haxhiu për Demokracia.com ka thënë se Armend Muja ka mundur ta vonojë këtë projektligj, por nuk mund ta ndalojë kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti.

“Armend Muja ka mundur ta vonojë, por nuk mund ta ndalojë kërkesën e qytetarëve për tërheqjen e mjeteve nga Trusti. Ai nga data 27 Prill nuk e ka trajtuar Projektligjin për Trustin në Komision dhe në ditën e fundit kur do të duhej të votohej në Kuvend, Projektligji për Trustin, tek atëherë Armend Muja e ka planifikuar që ta trajtojë në Komision për Buxhet, Punë dhe Transfere, Projektligjin për Trustin”, ka thënë Haxhiu për Demokracia.com.

Ai, po ashtu, ka deklaruar se deputeti Muja duhet t’u përgjigjet qytetarëve.

“Pse Armend Muja e ka prolonguar në ditën e fundit, duhet të përgjigjet para qytetarëve?! Projektligji i është shpërndarë deputetëve më 27 Prill dhe afati për trajtim të tij në lexim të parë në seancë është jo më larg se 28 ditë nga dita që u është shpërndarë deputetëve, kjo do të thotë data 25 Maj 2022 është data kur Projektligji duhet të trajtohet në seancë të Kuvendit. Armend Muja duke e prolonguar shqyrtimin e Projektligjit për Trustin ka shkelur rregulloren e punës së Kuvendit”, ka shtuar Haxhiu.

Edhe nga Lidhja Demokratike të Kosovës janë deklaruar pro kësaj iniciative.

You may also like