Armend Agolli pas përjashtimit: LDK-ja nuk do të jetë kurrë monarki as parti private

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të Mitrovicës në zgjedhjet e fundit lokale, Armend Agolli ka reaguar pasi Dega e LDK-së në Mitrovicë ka vendosur për përjashtimin e tij, me arsyetimin se ka bashkëpunuar me PDK-në.

Agolli duke iu kundërpërgjigjur vendimit për përjashtim, ka deklaruar se partia ishte trefishuar në lokalet e fundit në Mitrovicë dhe thekson se këtë e kishte parë si sinjal të “shkëputjes nga mendësia e vjetër”, që sipas Agollit është përgjegjëse për rënien e LDK-së atje. Megjithatë ai thotë se kishte gabuar në analizë.

“Mirepo zhvillimet e fundit ne dege e deshmuan se e kishim gabim, dhe se ketu ka ende te atille qe mendojne vetem per veten dhe per interesat personale. Te tilleve po u them edhe njehere, shkurt-e-shqip: LDK as nuk ka qene, as nuk eshte, dhe as nuk do te jete kurre as monarki, dhe as parti private. LDK ka qene, eshte dhe do te mbetet parti e vlerave, parti institucionale, parti e parimeve dhe si e tille, nje parti qe njerezit i bashkon brenda vetes duke i respektuar interesat e tyre te perbashket shoqëror”, ka shkruar ai.

Ai u bëri thirrje atyre që nuk e shohin LDK-në si parti të vlerave insitucionaliste të lëshojnë rrugë.

“Te gjithe ata qe LDK’ne nuk e shohin dhe nuk e perjetojne si te tille, eshte koha e fundit te leshojne rruge. Ose, do te mbesin pa rruge. As “monarket” brenda Deges se LDK-se ne Mitrovice sigurisht se nuk perbejne perjashtim ne kete drejtim”, ka shkruar më tutje ai.

Në ndërkohë, kryesia e Degës së Lidhjes Demokratike në Mitrovicë e ka përjashtuar nga grupi i asamblistëve dhe nga funksionet e tjera brenda partisë, kandidatin për kryetar të kësaj komune, Armend Agollin dhe Xhyljeta Morina Imerin.

Në arsyetimin e kësaj partie thuhet se Agolli dhe Morina janë përjashtuar pasi pas përfundimit të zgjedhjeve lokale kanë vepruar në kundërshtim me interesat e partisë.

“ Kryesia e degës së Lidhjes Demokratike të Kosoves në Mitrovicë në mbledhjen e mbajtur sot, me votë unanime, ka përjashtuar nga grupi parlamentar dhe funksionet tjera të partisë , Armend Agollin dhe Xhyljeta Morina Imeri. Të lartpërmendurit që nga mbarimi i procesit të zgjedhjeve lokale kanë vepruar në kundërshtim me të gjitha qëndrimet e partisë, duke bashkëpunuar me partitë tjera në kundërshtim me interesat e LDK-së, duke mbi votuar vendimet e LDK-së me votat e PDK-së”, thuhet në njoftim.

Këtë për Express e ka konfirmuar edhe kryetari i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi.

“Po, e gjitha është thënë në njoftimin që është lëshuar në faqen LDK-Mitrovicë”.

Agolli në zgjedhjet e 17 tetorit ka garuar nga radhët e LDK-së për kryetar të komunës së Mitrovicës.

Për nga votat ai doli i treti, pas Bedi Hamzës së Partisë Demokratike të Kosovës dhe Agim Bahtirit të Lëvizjes Vetëvendosje.

You may also like