Arben Taravari i drejtohet bashkëpartiakëve me fjalët e Abraham Linkolnit

by admin
Spread the love

Sot është mbajtur kongresi i 3-të i Aleancës për Shqiptarët ku në këtë kongres kryetar është zgjedhur Arben Taravari i cili me një fjalim falenderoi të gjithë ato që i besuan për këtë post si dhe premtoi një Aleancë edhe me të fortë, shkruan InfoShqip.

Fjalimi i plotë:

“Të respektuar bashkëpartiakë, të dashur kolegë e padyshim miq e shok
Tash më 3 muaj unë ushtrova detyrën e kryetarit të partisë pasi kryetari Ziadin Sela dhà në atë kohë dorëheqje të parevokueshme duke befasuar sigurisht të gjithë klasën politike në vend, e sidomos llojin e kryetarëve, të cilët kryesisht e fatkeqsisht pasi zgjidhen jo vetëm që nuk e mendojnë më dorëheqjen por madje nisin e delirojnë deri në atë masë sa që mendojnë se kthehen në të pavdekshëm.
Kur Ziadini dhà dorëheqjen e padiskutueshme i tronditi të gjithë, pasi si e thashë, për mentalitetin tonë partiak duhet 7 burrni e 7 trimëri për të bërë një akt të tillë.
Ndërkohë mua m’u ngarkua ushtrimi i detyrës si kryetar.
Pavarsisht se unë i njihja rrethanat, anëtarët, deputetët, aktivistët, gjatë kësaj kohe pata mundësinë të njoh e të kuptoj shumë më shumë nga ju, dhe konkluzioni i parë që kam nxjerrë, është se:
Jemi shumë, shumë më shumë nga që mendojmë dhe rritemi çdo ditë!
Duke e parë këtë energji, këtë forcë, këtë shpresë e këto dëshira, duke parë karizmën e Ziadinit, mendoja se unë jam njeriu më pak i përshtatshëm pēr të kandiduar si kryetar i partisë.
Profesioni im i neurologut më ka shëndruar në një njeri relativisht të qetë, e vitet që kam mbi supe edhe në më shumë të qetë!
Mirëpo ja ku jam këtu, i sapo shpallur kryetar i Aleancës për Shqiptarët, i lumtur për besimin tuaj, i ndërgjegjshëm për Përgjegjësinë e dhënë, dhe mbi të gjitha sot ndjehem me të gjitha tiparet që një kryetar duhet të ketë, pasi sot unë jam Të Gjithë Ju!
Në kohët moderne politikanët premtojnë…
Sa më shumë premtojnë fatkeqsisht aq më shumë gënjejnë…
Unë nuk do të premtoj asnjë Gjë!
Unë sot zotohem se do të jem zëri, arsyeja, këmbëngulja e secilit nga Ju!
Unë jam Ju!
Të gjithë do të jemi në çdo derë për të dëgjuar dhe parë nga afër problemet dhe hallet e njerëzve dhe këtë gjë nuk do ta bëjmë vetëm ditët e fushatës, por çdo ditë do të jetë fushatë në çdo sferë, punë e vazhdueshme për çdo njeri kudo të ndodhet dhe kudo të jetë.
Duhet të jemi dera kryesore dhe gjithnjë e hapur për çdo individ që kërkon një ekip për tu mbështetur.
Prurjet e reja janë një qëllim që po na kthen çdo ditë e më të fortë.
Profesionalizimi i partisë do të jetë një qëllim primar i planit që na pret. Me këtë nënkuptoj që do të zhvillojmë projekte të vazhdueshme mundēsisht në vende të zhvilluara evropiane ose ndërkombëtare, që sa më shumë nga ne të shtojnë njohuritë dhe profesionalizmin.
Qëllimi ynë do të jetë modernizimi i vazhdueshëm i partisë tonë dhe sjellja e ndryshimit të gjatë pritur nga shqiptarët në Maqedoni!
Sytë e kësaj partie duhet dhe do të shohin gjithnjë nga perëndimi, si aleatë absolut të demokracisë dhe lirive të njeriut që jemi!
Mua më pëlqen shumë vepra dhe mençuria e Abraham Linkolnit. Avokati që në mënyrë dramatike udhëhoqi Amerikën në kohën e tmerrshme të luftës civile, ka pasur shumë sfida. Jeta e tij është bërë subjekt i shumë librave dhe filmave…
Një nga fjalitë e tij me të mira ka qenë:
Mënyra më e mirë për ta parashikuar të ardhmen, është ta krijosh atë!
Zonja dhe zotërinj, nga këtu, ju ftoj sot që ne së bashku të krijojmē të ardhmen! Të sjellim ndryshimin te partitë politike shqiptare në Maqedoni!
I lumtur që jam pasardhës i Ziadin Selës, krenar që jam i zgjedhuri juaj dhe njeri prej jush, i vendosur ta jap maksimumin tim si drejtues i partisë, unë sot jam në Aleancên më të fortë në vend si është Aleanca për Shqiptarët!
Zoti ju bekoftë të gjithëve!
Kjo është Ora Jonë!
Na priftë e mbara!”, tha Taravari.

Lexo lajme interesante

You may also like