Apple, Google dhe Microsoft, së bashku për të eliminuar fjalëkalimet

by admin
Spread the love

Apple, Google dhe Microsoft njoftuan se duan të eliminojnë përgjithmonë nevojën për identifikimin në shërbimet dixhitale me fjalëkalime.

Për këtë do të zhvillojnë një infrastrukturë për të lejuar login (hyrjen) pa çelësin alfanumerik në smartphone (Android dhe iOS), komputer (Windows dhe macOS) dhe browser (Chrome, Edge e Safari), e cila duhet të jetë operative vitin tjetër.

Tre gjigantët e teknologjisë ranë dakord falë Aleancës Fido, e themeluar në vitin 2013, misioni i deklaruar i së cilës është “të promovojë standardet e vërtetimit që ndihmojnë në reduktimin e varësisë së tepërt të botës nga fjalëkalimet”. Lajmi erdhi në Ditën Botërore të Fjalëkalimit, më 5 maj.

Sipas raportit të përvitshëm të Verizon mbi shkeljet e të dhënave informative, 80% e tyre shkaktohet nga fjalëkalimet e pasigurta dhe kredencialet e dobëta. Siç shpjegohet në një deklaratë zyrtare të Apple, kur sistemi të jetë aktiv, mund të përdoret smartphone për të hyrë në një aplikacion apo shërbim web, pavarësisht software operativ apo browser-it (shfletuesi) në përdorim.

I njëjti veprim që kryejmë disa herë në ditë për të zhbllokuar telefonin, nga njohja e fytyrës dhe e gjurmëve të gishtave deri te kodet, do të mjaftojë për të hyrë në faqet dhe aplikacionet, si një mjet identifikimi i shpejtë dhe i sigurt.

Përdoruesit do të jenë gjithashtu në gjendje të aksesojnë automatikisht kredencialet e tyre në pajisje të shumta, pa pasur nevojë të regjistrojnë sërish secilën llogari.

Edhe pse Apple, Google dhe Microsoft e mbështesin prej kohësh standardin e hyrjes pa fjalëkalim të krijuar nga Aleanca Fido, ende nuk ka ndërveprim ndërmjet platformave, aplikacioneve dhe standardeve të sigurisë së këtyre kompanive.

Sipas tre gjigantëve, risia do ta bëjë shumë më të vështirë për hakerët vjedhjen e informacionit të hyrjes, duke pasur parasysh mungesën e çelësave në numra dhe shkronja dhe vetëm praninë e telefonit inteligjent si një mjet identifikimi.

/ ANSA

Lexo lajme interesante

You may also like