ANKARA – Turqia dhe Egjipti theksojnë qëndrimin e përbashkët për konfliktin në Gazë

by admin
Spread the love

STAMBOLL, 4 shtator /ATSH-DPA/- Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan dhe presidenti egjiptian Abdel-Fattah al-Sissi bënë thirrje sot për një armëpushim në Rripin e Gazës, duke theksuar se të dy vendet ndajnë një qasje të përbashkët ndaj konfliktit.

Al-Sissi udhëtoi sot në kryeqytetin turk, Ankara – në vizitën e tij të parë në vend që kur mori detyrën në vitin 2014, mes një afrimi midis dy vendeve.

“Vizita ime në Turqi hedh themelet për bashkëpunim të mëtejshëm midis dy vendeve”, tha al-Sissi në një konferencë të përbashkët për shtyp me Erdogan.

Të dy krerët nënshkruan marrëveshje në fusha të ndryshme si tregtia, energjia dhe mbrojtja, ndër të tjera.

“Turqia dhe Egjipti ndajnë një qëndrim të përbashkët në Gazë – të sigurojnë një armëpushim”, u tha Erdogan gazetarëve.

Al-Sissi theksoi se Turqia dhe Egjipti kërkojnë të arrihet një “armëpushim i menjëhershëm” për t’i dhënë fund asaj që ai e quajti një “katastrofë të paprecedentë” në Gazë.

Në luftën e Gazës, Egjipti, së bashku me SHBA-në dhe Katarin, është përpjekur prej disa muajsh të ndërmjetësojë një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit. Megjithatë, negociatat janë bllokuar.

Marrëdhëniet midis Turqisë dhe Egjiptit kanë qenë të tensionuara prej vitesh, pjesërisht për shkak të mbështetjes së Erdoganit për Vëllazërinë Myslimane Egjiptiane.

Në shkurt, Erdogan vizitoi Egjiptin për herë të parë që nga viti 2012 dhe foli për një pikë kthese në lidhjet dypalëshe. //a.i/.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like