Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD i kthehet Berishës: T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun me kontribut të madh në fitoren e 2005, jo korrekte

by admin
Spread the love

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Bernard Banushi i ka drejtuar sot një reagim ish-kryeministrit Sali Berisha për ndjesën që ai kërkon për mbështetjen e dhënë ndaj kreut të PD-së Lulzim Basha. Banushi shkruan në një postim se Basha ishte njeriu me kontribut të madh në fitoren e vitit 2005 dhe që shkëlqeu dhe shkërmoqi këdo që i dilte para në çdo debat politik të kohës.

Sipas tij, është jo korrekte t’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që fitoi në vitin 2005 me sistem mazhoritar një zonë që PD nuk e kishte fituar kurrë. Banushi shkruan më tej se t’i kërkosh ndjesë demokratëve për këtë njeri dhe asnjë ndjesë demokratëve për bashkëpunëtorët e tu më të afërt që i hoqën vota PD që t’i jepnin oksigjen PS, kjo nuk është korrekte.

Ai thekson se Basha ishte bashkëpunëtori i tij më i afërt për rezultatet që janë krenaria e tij, siç janë liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës.

Postimi i Banushit:

“Dy fjalë për ndjesën e doktorit kundrejt demokratëve. T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që udhëhoqi komitetin e orientimit të politikave që rezultoi si lëvizje deçizive për ardhjen në pushtet të PD, nuk është korrekte.

Një komitet i mbushur me personalitete dhe fytyra që i dhanë ngjyra PD së asaj kohe për të marre vota në elektorat gri.

T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që fitoi në vitin 2005 me sistem mazhoritar një zonë që PD nuk e kishte fituar kurrë, përballë një prej rivalëve me më shumë lekë në atë kohë dhe një prej njerëzve më të fortë të Edi Ramës, është jo korrekte. Jo korrekte, për njeriun që shkëlqeu dhe shkërmoqi këdo që i dilte para në çdo debat politik të kohës, pra për njeriun me kontribut të madh në fitoren e vitit 2005.

T’i kërkosh falje demokratëve për njeriun që si Ministër i Punëve Publike realizoi në kohë rekord projektin më madhor të 8 viteve qeverisje, është jo korrekte. Projekt që trumbetohet me të drejtë si projekti i kombit. Projekt që për shkak të xhelozisë së brendshme, u sulmua po nga brenda si aferë korruptive.

T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që udhëhoqi fitoren spektakolare në qarkun e Elbasanit, është jo korrekte. Qarku që e mbajti në pushtet PD në vitin 2009 ndërkohë që në bastionet e demokratëve me investime të panumërta u mor rezultat i dobët. Në atë kohë krenoheshim me këtë njeri. Ky njeri ka bërë gjithçka për financimin e projektit të rrugës së Elbasanit duke shfrytëzuar çdo njohje dhe miqësi. Duke punuar pa pushim për realizimin e tij.

T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që i solli fitoren PD në bashkinë e Tiranës përballë kryetarit të opozitës, me një fushatë spektakolare dhe me stërkëmbësha nga brenda, është shumë jo korrekte.

Fitore që i fiku shpresat E.R. për zgjedhje të parakohshme.

T’i kërkosh ndjesë demokratëve për njeriun që gati sakrifikoi karrierën e vet politike duke u futur në lufte me gjithë botën për të sjellë demokratët në pushtet në vitin 2017, por që u tradhtua nga brenda, e për këtë dhe qëllimi i kësaj nisme dështoi. Kurrë nuk sulmoi dhe anatemoi njeri dhe duroi me heshtje gjithë bataretë ndaj tij.

T’i kërkosh ndjesë demokratëve për këtë njeri dhe asnjë ndjesë demokratëve për bashkëpunëtorët e tu më të afërt që i hoqën vota PD që t’i jepnin oksigjen PS, kjo nuk është korrekte. E dimë shumë mirë se pse humbi PD. Nuk kërkoi kurrë ndjesë për ish-armatën e drejtorëve dhe ministrave që fërkonin duart për humbjen e PD apo që në fund, nuk dhanë as votën për të.

T’i kërkosh ndjesë demokratëve për dikë që ishte bashkëpunëtori yt më i afërt për rezultatet që janë krenaria juaj sot, siç janë liberalizimi i vizave, anëtarësimi në NATO dhe pavarësia e Kosovës nuk është korrekte.

Nuk është bashkim që të lëshosh mbi këtë njeri ato fjalë për të cilat kurrë nuk u përfol për aq kohë sa ka qenë drejtues në institucione të ndryshme.

Është e kundërta e bashkimit. Shpresoj dhe uroj shumë që ne demokratët, militantët, mbështetësit e gjithsecilit të përmbahemi me njeri-tjetrin sepse shumë shpejt do jemi po bashkë kundër të keqes që ka vetëm një emër, Edi Rama.”-shprehet Banushi.

You may also like