ANALIZË – CNN: Sistemi britanik i azilit ka dështuar pas vitesh të tëra neglizhence politike

by admin
Spread the love

LONDËR, 6 nëntor /ATSH/ – Në një natë të ftohtë në stacionin ”Victoria” të Londrës, nga një autobus zbriti një grup prej 11 personash, disa të veshur me xhupa dhe disa jo, dhe u largua, shkruan Rob Pichetta për CNN.

“Ata kishin ftohtë, ishin të uritur, të stresuar dhe të çorientuar”, sipas organizatës bamirëse për të pastrehët ”Under One Sky”, ekipi i së cilës e vuri re grupin dhe ofroi ndihmë.

Ata nuk kishin ku të shkonin, derisa një punonjës i Ministrisë së Brendshme u gjeti strehim në një hotel.

Grupi përbëhej nga azilkërkues të cilët kishin qëndruar në qendrën e përpunimit të emigrantëve Manston në Kent, Anglinë jugore, një strukturë që bamirësit dhe ligjvënësit thonë se është mbipopulluar dhe ndodhet në kushte të tmerrshme dhe çnjerëzore jetese.

Sipas kësaj ministrie, zyrtarët kishin përshtypjen se 11 individët kishin akomodim të rregulluar në Londër. Kryetari i bashkisë së Londrës, Sadiq Khan tha se ishte “e turpshme që ata u braktisën në qendër të qytetit”.

Ai shtoi se ky ishte një dështim i plotë i detyrës dhe lidershipit.

Por, ky incident është emblematik për një sistem të mbingarkuar në mënyrë dramatike të BM për trajtimin e azilkërkuesve dhe emigrantëve të paligjshëm.

“Sistemi është prishur”, i tha parlamentit sekretarja e Brendshme, Suella Braverman.

Ajo fajësoi një rritje të shpejtë të kalimeve me varka të vogla përgjatë La Manshit, të organizuar nga kontrabandistët.

Por, kaosi me të cilin përballen emigrantët dhe azilkërkuesit në BM është gjithashtu rezultat i një dekade zgjedhjesh politike, me financime dhe veprime që nuk përputhen me retorikën e ashpër të përkrahur nga qeveritë e njëpasnjëshme konservatore.

“Është mizore”, i tha CNN Ben Ramanauskas, një ekonomist hulumtues në Universitetin e Oksfordit.

“Një pjesë e kësaj është për shkak të kulturës së vendosur nga Ministria e Brendshme, e cila i sheh shumicën e emigrantëve me dyshim dhe i trajton ata si kriminelë të mundshëm”, tha Ramanauskas.

Ministria e Brendshme britanike nuk iu përgjigj drejtpërdrejt CNN-it, por tha në një deklaratë se “numri i njerëzve që mbërrijnë në BM, që kërkojnë strehim, ka arritur nivele rekord dhe e ka vënë sistemin tonë të azilit në një tendosje të jashtëzakonshme”.

Ligjvënësi konservator Roger Gale thotë se “shkaku kryesor i asaj që po shohim në Manston nuk është qeveria, por numri në rritje i emigrantëve”.

Këto shifra janë rritur në vitet e fundit.

Numri i të ardhurve në BM mbetet relativisht i ulët në krahasim me vendet anëtare të BE-së.

Vitin e kaluar, BM u rendit e katërta në aplikimet totale për azil dhe e 19-ta në kërkesat për frymë midis vendeve evropiane, sipas Observatorit të Migracionit.

Por, ndërkohë që qeveria ka drejtuar gishtin drejt kalimeve në rritje për tejkalimin e rrjetit të azilit të vendit, ajo ka bërë pak për të reduktuar ndikimin e tyre në BM dhe, një sërë vendimesh ministrore, kanë sjellë përçarje mes britanikëve dhe migrantëve.

Shpejtësia me të cilën përpunohen kërkesat për azil ka rënë ndjeshëm vitet e fundit. Kjo do të thotë se emigrantët janë strehuar në akomodime të përkohshme dhe hotele ndërsa presin të dëgjojnë lajmet për pretendimet e tyre, një politikë që Braverman e ka kritikuar vazhdimisht.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme i tha CNN-it se aktualisht ka më shumë se 37 000 azilkërkues në hotele duke i kushtuar taksapaguesve në BM 5,6 milionë paund në ditë.

Shumë ekspertë të migracionit drejtojnë gishtin për këtë projektligj drejt qeverisë.

Deri më sot, politika e qeverisë britanike, një marrëveshje për të deportuar disa emigrantë në Ruanda, është zhytur në ankesa ligjore dhe ka dështuar të transportojë edhe një person të vetëm gjatë shtatë muajve, që kur u shpall.

“Është e qartë se nuk po funksionon dhe nuk ka vepruar si një pengesë në asnjë mënyrë për azilkërkuesit e tjerë”, tha Ramanauskas.

Por, ka të paktën zgjidhje të pjesshme për krizën në dukje të vështirë të emigracionit të paligjshëm në BM, besojnë ekspertët.

Ata thonë se kjo arrihet duke i dhënë përparësi përpunimit të kërkesave, rritur fondet dhe duke krijuar qendra të reja në mbarë vendin.

BM mund të heqë një rregull që aplikimet për azil duhet të bëhen në territorin e saj duke i lejuar njerëzit të aplikojnë në ambasada përpara se të përfundojnë një udhëtim të gjatë nëpër Evropë.

Kjo është dinamika me të cilën përballet Rishi Sunak, kryeministri i ri i BM, i cili ka përqafuar me lehtësi planin e Ruandës dhe ka shpenzuar pjesën më të madhe të kapitalit të tij të hershëm politik duke mbrojtur sekretaren e tij të Brendshme, Braverman, teksa ajo dënon sistemin e prishur të azilit në BM.

Sunak rrezikon të humbasë shpejt besimin e britanikëve në të gjitha anët e debatit të migracionit./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.

You may also like