Analiza – Të thënat dhe të pathënat e marrëveshjes së planit për reduktimin në 15 % të gazit në BE

by admin
Spread the love

Ministrat e Energjisë nga vendet e BE-së kanë arritur një marrëveshje mbi një plan të paprecedentë të energjisë që do ta prezantojë një reduktim vullnetar prej 15% të konsumit të gazit në të gjithë bllokun e BE-së nga tani deri në pranverën e ardhshme.

Reduktimi mund të bëhet i detyrueshëm në rast të mungesës ekstreme të gazit, megjithëse shumë vende do të kursehen automatikisht nga sakrificat e dhimbshme sipas një liste të gjatë përjashtimesh të dakorduara.

Projekt-plani u zbulua javën e kaluar nga Komisioni Evropian si reagim ndaj manipulimit të vazhdueshëm të Rusisë me rrjedhat e gazit në hakmarrje për sanksionet perëndimore të vendosura për pushtimin e Ukrainës. Furnizimet e pakësuara të gazit rus po ngjallin frikën e një recesioni të afërt dhe një krize dimërore.

Republika Çeke, e cila mban presidencën e rradhës të Këshillit të BE-së, njoe bëri të ditur progresin e shënuar në këtë drejtim të martën, saktësisht në orën 12:00 , në mes të një takimi ministror në Bruksel.

“Ky nuk ishte një mision i pamundur!”, shkruan llogaria e presidencës në Twitter.

“Negociatat nuk ishin të lehta. Në fund, të gjithë e kuptojnë se sakrificat janë të nevojshme dhe se ne do të duhet ta ndajmë dhimbjen”, u tha gazetarëve Jozef Síkela, ministri çek për industrinë dhe tregtinë.

“Ne dërgojmë një sinjal të fortë, jo vetëm për Vladimir Putinin, i cili edhe një herë dështoi ta përçajë Bashkimin Evropian, por edhe për qytetarët tanë”.

Pas tekstit origjinal të Komisionit, ministrat u dakorduan që të 27 vendet anëtare ta ulin konsumin e gazit me 15% nga gushti deri në mars të vitit 2023. Faza e parë do të jetë vullnetare, bazuar në koordinimin, ndërrimin e karburantit, kufijtë e temperaturës dhe fushatat informuese.

Bizneseve, ndërtesave publike dhe familjeve private do t’u kërkohet të kontribuojnë në ndërmarrjen kolektive, e cila mund të ndihmojë në kursimin e deri në 45 miliardë metra kub (bcm) gaz.

Por në rast të një reduktimi drastik të gazit rus ose kërkesës jashtëzakonisht të lartë, objektivi prej 15% do të bëhet i detyrueshëm sipas një sistemi inovativ Union Alert, i shkaktuar përmes votave të shumicës së cilësuar.

Kjo do ta hapë derën për racionimin në të gjithë bllokun e BE-së, duke i detyruar fabrikat e zgjedhura me intensitet energjetik të mbyllen për një periudhë të caktuar kohe. Familjet dhe shërbimet esenciale, si spitalet dhe shkollat, do të mbeten të mbrojtura – nëse kriza nuk përkeqësohet.

Një listë e gjatë e përjashtimeve

Plani ambicioz i Komisionit u sulmua menjëherë nga disa shtete anëtare, veçanërisht ato nga Jugu, të cilët e denoncuan atë si joproporcional, të padrejtë dhe joefektiv.

Ditët e fundit u karakterizuan me një stuhi negociatash për të futur ndryshime në mënyrë që të sigurohet një reduktim prej prej 15% të përdorimit të gazit, nëse ajo bëhet e detyrueshme. Vendet u përpoqën ta bënin objektivin më të lakueshëm dhe të përshtatur për rrethanat kombëtare.

Kompromisi përfundimtar e mbajti të paprekur objektivin prej 15%, por injektoi një listë të gjatë përjashtimesh në sistemin Union Alert.

Vendet që nuk janë të ndërlidhura me fqinjët e tyre ose nuk janë të sinkronizuara me sistemin evropian të energjisë elektrike do të kursehen nga reduktimi i detyrueshëm.

Nga kjo do të përfitojnë vendet ishullore – Malta, Qiproja dhe Irlanda – dhe shtetet baltike, të cilat janë ende të lidhura me rrjetin elektrik rus dhe ka të ngjarë të kenë nevojë t’i rrisin furnizimet e tyre me gaz nëse Kremlini i ndërpret.

“Të kërkosh të njëjtën gjë nga çdo shtet anëtar brenda natës, më duket edhe pak e padrejtë”, thotë Riina Sikkut, ministre e Estonisë për çështjet ekonomike dhe infrastrukturën. “Por unë jam e sigurt se nëse të gjithë e bëjmë përpjekjen që kërkohet, ne mund të bëjmë mjaft për të mbijetuar me sukses gjatë dimrit”.

Një tjetër derogim do të zbatohet për ato vende që demonstrojnë se përdorin infrastrukturën e tyre të gazit natyror të lëngshëm (LNG) për të importuar nga furnizues jo-rusë dhe më pas për t’i eksportuar në shtetet e tjera anëtare “në maksimum”.

Spanja, Portugalia, Italia, Belgjika dhe Greqia ishin mes atyre që bënë fushatë për ndryshimin.

“Kjo paketë nuk e kënaq plotësisht askënd”, thotë Teresa Ribera, ministrja e Spanjës për tranzicionin ekologjik, përpara takimit të së martës. “Por mund të jetë një pikëtakimi shumë pozitive.”

Ribera, e cila ka qenë një nga zërat më kritikë kundër draftit të Komisionit, dha një ton më pajtues në Bruksel, por këmbënguli se parimi i solidaritetit duhet të bazohet në fleksibilitet dhe efikasitet.

“Ne të gjithë e kuptojmë se kur dikush kërkon ndihmë, ne duhet të ndihmojmë”, u tha Ribera gazetarëve.

Derogime nga reduktimi i detyrueshëm prej 15% mund të kërkohen gjithashtu nga ata që i tejkalojnë objektivat e tyre të mbushjes së ruajtjes së gazit – minimalisht 80% deri më 1 nëntor –, ata që i përdorin molekulat e gazit në industri kritike – si plehrat dhe kimikatet – dhe ata që e kanë rritur konsumin e tyre të gazit me të paktën 8% në vitin e kaluar dhe për këtë arsye nuk mund t’u kërkohet ta bëjnë një reduktim të papritur.

“Kjo siguron që BE nuk do ta dëmtojë ekonominë e saj,” tha Síkela, duke e quajtur tekstin përfundimtar një “kompromis të fortë”.

“Mirupafshim, gazi rus”

Lista e gjatë e dispozitave të veçanta do të thotë se blloku i BE-së nuk do të jetë në gjendje ta arrijë reduktimin e gazit prej 45 bcm, siç vlerësoi fillimisht Komisioni dhe do të përfundojë duke ulur diçka midis 30 bcm dhe 45 bcm, në varësi të sasisë së derogimeve të dhëna.

Një analizë fillestare nga instituti Bruegel tregon se, për momentin, deri në 18 vende mund të përfitojnë nga një lloj përjashtimi ose përjashtimi i pjesshëm, duke përfshirë katër ekonomitë më të mëdha të bllokut të BE-së.

Përveç thelbit aktual të planit, shtetet anëtare u zhvendosën gjithashtu për ta ndryshuar procedurën për ta aktivizuar sistemin Union Alert, duke i dhënë vetes një fjalë më të madhe në dëm të Komisionit.

Megjithatë, ekzekutivi e përshëndeti marrëveshjen e Këshillit, të arritur në më pak se një javë.

“Duke vepruar së bashku për ta reduktuar kërkesën për gaz, duke marrë parasysh të gjitha specifikat përkatëse kombëtare, BE-ja ka i siguruar themelet e forta për solidaritetin e domosdoshëm midis vendeve anëtare përballë shantazhit energjetik të Putinit,” tha presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen përmes një deklarate.

Takimi në Bruksel u zhvillua vetëm një ditë pasi Gazprom, kompania multinacionale e energjisë shtetërore e Rusisë njoftoi se do t’i reduktonte më tej rrjedhat e gazit natyror përmes tubacionit Nord Stream 1 në vetëm 20% të kapacitetit, duke i përmendur riparimet e pajisjeve si arsye për reduktimin.

Von der Leyen tha se vendimit të fundit të Gazprom i mungonte ndonjë “arsye teknike e justifikueshme” dhe vërtetonte nevojën për të ecur përpara me planin e emergjencës në mbarë BE-në.

Nga ana e tij, zëvendës-kancelari gjerman Robert Habeck, i cili mori pjesë në takimin e së martës, paralajmëroi se kaq shumë përjashtime nga objektivi 15% mund të shkaktojnë “shumë burokraci” dhe ta ngadalësojnë reagimin e bllokut në kohë krize.

“Por përjashtimet, në vetvete, janë të arsyeshme, ato mund të shpjegohen,” pranoi Habeck. “Është shumë e rëndësishme që Evropa të qëndrojë e bashkuar dhe të jetë në gjendje të dërgojë një sinjal të fortë”.

Claude Turmes, ministri i Energjisë i Luksemburgut, tha se blloku do të “qëndrojë së bashku” dhe do të kapërcejë “këtë dimër dhe më pas dimrin e ardhshëm”.

“Dhe pastaj gjithsesi, është bye, bye, gazi rus,” tha ai me tallje.

Rregullorja Union Alert do të zbatohet për një vit, deri në maj të vitit 2023.

Hungaria voton kundër

Pavarësisht thirrjeve për unitet evropian për t’u përballur me shantazhin e Rusisë, Hungaria votoi kundër dosjes legjislative gjatë takimit të së martës, duke e bërë atë të vetmin vend që del kundër.

“Ky është një propozim i pajustifikueshëm, i panevojshëm, i papërshtatshëm dhe i dëmshëm që injoron plotësisht interesat kombëtare,” u tha gazetarëve ministri i jashtëm hungarez Peter Szijjarto.

Szijjarto tha se siguria e furnizimit me energji ishte “përgjegjësi e qeverive kombëtare”, duke e quajtur bazën ligjore “të dyshimtë”.

“A do t’u shpjegojë dikush në Bruksel hungarezëve se ka gaz në Hungari që individët dhe kompanitë nuk mund ta përdorin? Kjo është marrëzi,” tha ai.

Në kontrast me planin e BE-së për t’u bërë më pak i varur nga burimet energjetike të Rusisë, Szijjarto vizitoi Moskën javën e kaluar për të negociuar një shtesë prej 700 milionë metra kub gaz mbi 4.5 miliardë metra kub të dorëzuar në Budapest çdo vit përpara konfliktit në Ukrainë.

Presidenca çeke nuk e komentoi votën negative të Hungarisë./Euronews

Rruga Press

You may also like