Analistët të zhgënjyer nga mungesa e bashkëpunimit Qeveri-Kuvend: E kanë humbur rrugën në oborr

by admin
Spread the love

Analistët politik thonë që ka mungesë të
bashkëpunimi ndormet Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, e këtë e dëshmon më së
miri mos miratimi i shumë projektligjeve të cilat konsiderohen jetike për
qytetarët, raporton Ekonomia Online.

Ani pse Lëvizja Vetëvendosje, ka shumicën e
deputetëve në Parlament, analistët konsiderojnë se këta të fundit po mungojnë në
seanca.

Njohësit e çështjeve politike, shprehen se edhe qytetarët
janë të zhgënjyer nga ky mosbashkërendim i aktiviteteve Qeveri-Kuvend, e që më
pas po pason me pezullimin e disa ligjeve të cilat po shkojnë në dëm të qytetarëve.

Ish-zëvendësministrja e Zhvillimit Rajonal, Magbule
Shkodra, në një intervistë për Ekonomia Online thekson se po vërehet një
mungesë e bashkërendimit Qeveri-Kuvend.

Ajo thotë se ka pasur pritje që të paktën ligjet e
propozuara nga Qeveria të përkrahen nga deputetët e shumicës, në këtë rast të
Vetëvendosjes.

“Prej asaj që po shohim nga seancat dhe nga të gjitha ligjet që po
shkojnë nga Qeveria për në Kuvend, po vërehet që mungon një bashkërendim çfarë
do të duhej të ishte me këtë rast. E keni parasysh që Lëvizja Vetëvendosje ka
shumicën parlamentare, një shumicë që nuk ka ndodhur ta kishte dikush më herët
dhe pritjet tona do të ishin që, ligjet të cilat shkojnë aty ta kenë përkrahjen
të paktën të deputetëve të tyre. Ndërkaq nga seancat ne po shohim që në
shumicën e seancave përveç që edhe opozita nuk është ndonjëherë e rregullt,
edhe shumica parlamentare po mungon me deputetët e saj. Fatkeqësisht, duhet të
themi, sipas mendimit tim është që po mungon një bashkërendim”.

Shkodra thotë se LVV ani pse ka numrin më të madh të deputetëve në Kuvendin
e Kosovës, ata  po dështojnë që të jenë
të pranishëm në seanca. Sipas saj, në këtë aspekt edhe qytetarët e vendit janë
të zhgënjyer.

“Në të kaluarën është parë që kur nuk ka qenë një kësi lloj
konstilacioni i forcave politike në parlament është dashur patjetër që partia e
cila ka qenë në pushtet të bëjë një bashkërendim me të gjitha partitë tjera
politike sepse për të kaluar një ligj të nevojitet shumica. Kështu që, pritjet
kanë qenë që çdoherë të zhvillohen bisedime paraprakisht, në mënyrë që ta ketë
mbështetjen e deputetëve. Në këtë rast LVV përkundër numrit të saj, ajo po
dështon që të paktën deputetët e saj ti ketë në seancë. Unë, besoj edhe
qytetarët po zhgënjehemi nga kjo qasje dhe pritjet tona kanë qenë krejtësisht
të tjera”.

Ajo thotë se ka pak rezultate nga të dyja këto institucione, duke përshkruar
bashkërendimin e aktiviteteve ndërmjet tyre me një fjalë të urtë popullore
“duket se e kanë humbur rrugën në oborr”.

“Mendoj që do të mund të ishte një bashkërendim më i mirë, bashkëpunim
më i madh, por më duket që në një farë mënyre mua po më duket se sikur e kanë
humbur rrugën në oborr, ndoshta, angazhimet e shumta të Qeverisë dhe Kuvendi në
këtë mënyrë si po funksionon dhe rezultatet po shihen. Në fakt nuk kemi shumë
rezultate”.

Edhe Arbnor Sadiku, analist politik thotë se ka pasur progres në hartimin e
disa ligjeve, por ngecje ka në miratimin e tyre në Kuvend.

“Sa kemi parë ne për 1 vit e 6 muaj, Qeveria Kurti 6 mujorin e parë ka
pasur probleme të theksuara në raport me shtyrjen e ligjeve përpara dhe
hartimin e tyre në gjithë sektorët e saj. Kurse mendoj që në 6 mujorin e dytë,
veçanërisht në 3 mujorin e vitit të dytë të qeverisjes ka pasur rezultate më të
mira. Kemi pasur veçanërisht disa ministri, p.sh Mistria e Drejtësisë,
Ministria e Pushtetit Lokal e disa ministri të tjera që kanë pasur progres në
kuptimin e hartimit të ligjeve dhe përcjelljes së tyre në Kuvend”.

“Kurse, nga aspekti i miratimit të tyre në Kuvend, mendoj që ka pasur
ngecje për arsye se aty deputetët secili veç e veç  i bënë kalkulimet e ti ose saj, për arsye që
rrethin që vjen, votuesit që i përfaqëson sa më shumë t’i përfshij interesat e
tyre apo ndoshta të vetat personale në ato ligje. dhe shpesh herë kemi bllokada
të tilla të ligjeve që për shkaqe të interesave politike ditore midis
deputetëve qoftë të pozitës dhe atyre të opozitës ku kërkohet vota për disa
ligje edhe nga opozita, ngecin tutje dhe si me thënë kemi pasur progres më të
ulët nga kuvendi, kurse kemi pasur më tepër arzhoritet edhe progres nga
Qeveria, po flas për vitin e dytë dhe përcjelljen e ligjeve në Kuvend”.

Sadiku thotë se është përgjegjësi e deputetëve të LVV-së dhe Listës Guxo që
të kenë pjesëmarrje më të madhe në Kuvend, duke pasur parasysh se përfaqësojnë
shumicën parlamentare.

Sipas tij, nëse ligjet nuk miratohen nga ana e tyre, më pas krijohen
probleme të cilat i kushtojnë të gjithë qytetarëve të Kosovës, shtuar kësaj
edhe pasoja ekonomike, politike  e
juridike, raporton EO.

“Po realisht, ka mundur me pas një progres më të madh, po siç e dimë
Lëvizja Vetëvendosje shumicën e deputetëve pothuajse 2/3 e tyre i ka deputetë
të rinj të cilët nuk a kanë përvojën e duhur në parlament dhe nuk dinë se si ti
qasen ligjeve të reja që i procedon Qeveria e Kosovës në Parlament. Sigurisht
që kryetari i Parlamentit është vetëm një moderues dhe si me thënë një
bashkëkrijues i kohezionit midis subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvend,
po ai në një farë forme nuk mund ti detyroj secilin deputet veç e veç që të
votojnë për ligje të caktuara”.

“Prandaj është përgjegjësi e të gjithë deputetëve, veçanërisht e atyre të pozitës që përfaqësohen nga LVV dhe Lista Guxo që të jenë më azhurt, të kenë një pjesëmarrje më të madhe në Kuvend dhe ti votojnë nismat apo ligjet të cilat i procedon Qeveria Kurti. Nëse ato nuk miratohen, pastaj kemi zvarritje dhe probleme të cilat i kushtojnë gjithë qytetarëve të Kosovës, sepse baza kryesore e atyre ligjeve që duhet të miratohen është Kuvendi i Republikës së Kosovës. Pa miratimin e këtij institucioni asnjë ligj nuk mund të funksionoj praktikisht në Kosovë. Kjo sigurisht që shkakton pasoja, qoftë ekonomike, qoftë politike dhe juridike”.

You may also like