Analistët nuk shohin rezultate konkrete në luftimin e krimit dhe korrupsionit

by admin
Spread the love

Kohëve të fundit, të shumta kanë qenë arrestimet për keqpërdorim me subvencione, ekspertët konsiderojnë se puna e Prokurorisë apo e Policisë nuk matet se sa persona janë arrestuar, por sa prej tyre janë dënuar, raporton Ekonomia Online.

Sipas tyre, arrestime ka pasur edhe në të
kaluarën por nëse ato nuk përfundojnë me aktgjykime dënuese mund të
konsiderohen si përsëritje të rasteve.

Ish-drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsion,
Hasan Preteni në një intervistë për Ekonomia Online tha se arrestime ka pasur
edhe më herët, por që nga pas lufta por askush nga zyrtarët e lartë nuk ka
përfunduar në burg.

Ai thekson se rezultati i arrestimeve matet
vetëm në bazë të sukseseve e jo në bazë të veprimeve individuale.

“Ka pasur arrestime edhe në të kaluarën, por
fatkeqësisht qe 20 vite ose sa vite jemi në liri edhe sa vite shtet, nuk është
askush pas grilave dikush prej zyrtarëve të lartë që ka keqpërdorë me pasurinë.
Nuk ka as konfiskime të tilla. Mendoj që është mirë këto veprime që i merr
policia, në koordinim me prokuroritë, të shikojmë se si po shkojnë procedurat,
të mos bien në harresë, të mos bien vetëm për qëllime një ditore, javore ose
politike. Fundi, fundit nuk matet puna e prokurorisë se sa persona i kanë
arrestuar ose policisë, por sa persona janë dënuar. Kështu që prokurori duhet
me bind gjyqtarin që personat të cilat i ka trajtuar, i ka paraburgosur, i mban
paraburgim, i ka ndjek penalisht po edhe sa janë dënuar. Rezultati mundet me u
mat vetëm në bazë të sukseseve jo në bazë të veprimeve individuale, se kjo
është shkalla e parë”.

Preteni thotë se institucionet kryejnë veprime
me paratë e publikut, e ato duhet të kontrollohen nga ta.

“Presioni i publikut e bënë të vetën, edhe për
veprime të tjera që nuk lidhen me korrupsion po shihet që presioni i publikut
po e bënë të vetën. Edhe duhet të ketë, publiku duhet ti kontrolloj
institucionet. Institucionet nuk janë nga qielli, ato po e shpenzojnë paranë
tonë, janë zotuar që me paratë tona do ta kryejnë misionin që janë zotu. Është
mirë që policia po e kryen pjesën e vetë, pastaj prokuroria, por gjithçka matet
në fund. Gjatë vitit mund të kemi shumë 5 po në fund të vitit nëse e keni një 1
nuk e kaloni vitin”, tha Preteni.

Ai e konsideron të mangët rezultatin në luftën
kundër krimit dhe korrupsionit.

“Konstatojmë me përgjegjësi të plotë se nuk
ka. Ka pretendime, ka veprime stihike, të kohë pas kohshme. Por, në kuptimin se
edhe lufta kundër korrupsionit nuk është një akt, nuk është një veprim por
shumë veprime të shumë institucioneve edhe të gjitha ato duhet të harmonizohen,
koordinohen dhe të kryejnë punë ashtu siç duhet”, tha ai.

Edhe Gzim Shala nga Instituti i Kosovës për
Drejtësi (IKD), për Ekonomia Online tha se edhe në të kaluarën ka pasur
akuza  për korrupsion për persona të
profilit të lartë, por që asnjë prej tyre nuk është dënuar as edhe për një ditë
të vetme. E, Shala thotë se kjo paraqet mungesën e rezultateve konkrete në
luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

“Fillimisht do të thotë nuk mund ti masim
rezultatet në luftimin e krimit dhe korrupsionit vetëm me arrestime, me faza,
para penale ose gjatë fazës hetimore. Për shkak se duhet ta kemi parasysh se
edhe në të kaluarën ka pasur aksione të shumta dhe po ashtu ka pasur edhe një
numër të konsiderueshëm të aktakuzave të cilat janë ngritur ndaj personave të
cilët i takojnë profilit të lartë, aktakuza për korrupsion. Mirëpo, deri më
tani të gjitha këto aktakuza kanë dështuar në gjykatë, deri më sot nuk është
asnjë person i profilit të lartë i cili është dënuar për korrupsion me burgim
efektiv, madje as një ditë të vetme. Për këtë arsye ky është ai aspekti kryesor
që e paraqet mungesën e rezultateve konkrete në luftën kundër korrupsionit”,
tha ai.

“Ndërsa nëse i shohim vetëm kështu si arrestime, këto nuk paraqesin një tabllo reale. Nuk mund të themi se në rastin konkret a janë të bazuara, këto hetime të cilat janë të zhvilluara deri më tani ose jo, nuk mund ta dimë cilësinë e këtyre hetimeve të cilat janë zhvilluar deri më tani e nuk mund edhe ti paragjykojmë. Mirëpo, prapë se prapë në mënyrë që Prokuroria Speciale ta dëshmoj se në rastin konkret kemi të bëjmë me luftë reale kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të profilit të lartë, definitivisht se këto rast duhet të dëshmohen me aktgjykime meritore dënuese nga Gjykata, përkundrazi kemi thjesht një përsëritje të këtyre raste të cilën përsëritje e kemi parë edhe në vitet e kaluara”, tha Shala për EO.

You may also like