Analistët kërkojnë një draft në përputhje me Kushtetutën për Asociacionin

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Njohësit e çështjeve politike në vend, kërkojnë që çështja e Asociacionit të mos bëhet siç kërkon pala serbe. Si e tillë, ata thonë se Qeveria duhet të jetë e fokusuar në një draft i cili do t’i marr parasysh vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese, e duke mos e cenuar karakterin unitar të shtetit, raporton Ekonomia Online.  

Ndërsa për ngecje në dialog, fajin kryesor e
bëjnë Serbinë, për të cilën thonë se është e interesuar të zvarrisë procesin
dhe të bëhet anëtare e BE-së duke mos e njohur Kosovën.

Profesori Universitar, Milazim Krasniqi, ka
thënë për Ekonomia Online se Bashkimi Evropian tashmë e ka ide të qarta se
duhet të përfshihet edhe çështja e Asociacionit në marrëveshjen
gjithëpërfshirëse.

Për këtë, Krasniqi ka kërkuar nga
institucionet vendëse që ta përpilojnë një draft i cili është në përputhje me
Gjykatën Kushtetuese.

“Elementet e Asociacionit tash për tash nuk
mund t’i dimë, por bindja ime e thellë është që BE tashmë e ka një ide të qartë
se duhet të përfshihet edhe çështja e Asociacionit një marrëveshje
gjithëpërfshirëse. Qeveria e Kosovës dhe institucionet  duhet të jenë të fokusuara që të ofrojnë një
draft i cili do të marr parasysh vendimet e mëhershme të Gjykatës Kushtetuese,
por që të mos cenohet karakteri unitar i shtetit tonë dhe në atë rast të
gjendet një zgjidhje përmes së cilës do të akomodoheshin interesat reale të
serbëve që jetojnë në Kosovë që Serbia të detyrohet të pranojë realitetin duke
shkuar drejt një marrëveshje që e akcepton edhe njohjen e Kosovës”, tha
Krasniqi.

Ndërsa i pyetur se çka nëse Kurti nuk e
nënshkruan marrëveshjen me kushte ndërkombëtare, Krasniqi tha se insistimi i BE-së
është që t’i mbyllë çdo lloje krize në Ballkan, e sidomos pas luftës në
Ukrainë.

“Jam i bindur se do të kishte probleme për
Qeverinë Kurti dhe për Kurtin personalisht sepse BE-ja pas përvojave që tashmë
kanë në Ukrainë dhe rrezikut nga agresioni rus detyrohen të mbyllin çdo lloj
krize në Ballkan sepse Rusia do të përpiqet të shpenzojë çdo hapësirë që gjen
për ta destabilizuar Ballkanin dje për të krijuar një lloj paralelizmi për atë
që po ndodh në Ukrainë. Unë besoj që Kurti dhe Qeveria e tij duhet të jenë
shumë më të vëmendshëm dhe fleksibil në faktorët ndërkombëtar në këtë rast me
BE dhe ShBA e të mos e refuzojnë apriori, por në të kundërtën duhet të gjejnë
edhe elemente të një konsensusi të brendshëm në shoqërinë e Kosovës edhe me
opozitën në mënyrë që të krijohet një front i përbashkët si interes strategjik
që Kosova e ka për ta njohur Serbia dhe për t’u shndërruar në një faktor të
stabilitetit në rajon sepse rreziqet janë potenciale”, tha ai.

Njohësi i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu
tha se deri tani nuk ka pasur dakordim për asgjë dhe përgjegjësia për ngecjen e
procesit të dialogut gjithherë ka qenë e Serbisë.

Sipas tij, Serbia është e interesuar të
zvarrisë procesin dhe të bëhet anëtare e BE-së duke mos e njohur Kosovën.

“Nuk mendoj që është e thjeshtë marrëdhënia
konfliktuoze ndërmjet Kosovës dhe Serbisë që të zgjidhet me një takim. Deri më
tani nuk ka pasur dakordim për asgjë pothuajse dhe mendoj që përgjegjësia për
ngecjen e procesit të dialogut gjithherë kaq qenë e Serbisë sepse Serbia në
mënyrë të theksuar ka qenë  dhe është të
e interesuar të zvarrisë procesin dhe të bëhet anëtare e BE-së dhe të mos e
njohë Kosovën. Prandaj kushtet që i ka vënë ajo ka qenë jo parimore dhe Kosovën
ia kanë vënë fajin. Me një takim nuk mund të zgjidhet problemet dhe të arrihet
marrëveshje. Janë 33 marrëveshje të nënshkruara në Bruksel dhe duhet të
inkorporohen në një tekst përfundimtar”.

“Ky do të jetë proces që do të varet edhe nga
rrethanat gjeopolitike në rajon e Evropë por edhe nga BE-ja. Be-ja si
ndërmjetësues nuk ka qenë asnjëherë parimor dhe i drejtë që ta shtyjë procesin
pa e dëmtuar asnjërën palë. Kosova s’ka çka ofron më tepër vetëm miqësinë dhe
barazinë e qytetarëve me Serbinë. Kompromise Kosova dhe lëshime nuk mund të
ofrojë më tepër se gatishmërinë që të pajtohet me Serbinë dhe ti normalizojë
marrëdhëniet dhe ta njohin njëra-tjetrën reciprocikisht”.

Sipas tij, Kosova mjafton të shpreh
gatishmërinë për pajtim që të normalizohen marrëdhëniet dhe të nënshkruhen dhe
zbatohen 33 marrëveshje.

Baraliu potencoi se kryeministri Kurti ka vënë
parime në dialog duke e ngritur nivelin e dialogimit.

Ai shtoi se Kurti as nuk duhet as nuk ka
mandat të bëjë kompromise të mëtejme, andaj as Asociacioni nuk do të duhej të
pranohej nëse Serbia nuk e bënë të njëjtën gjë për shqiptarët e Preshevës.

“Kosova ka dhënë çdo gjë dhe po jep çdo gjë
për këtë marrëveshje eventuale për normalizim me Serbinë duke biseduar edhe për
çështje të saja të brendshme që nuk do të duhej të ndodhtë sepse është shkelje
e kushtetues dhe cenim i sovranitetit të vendit gjë që ka ndodhur në fazat e
mëhershme të qeverive tjera. Kosova mjafton të shpreh gatishmërinë për pajtim
dhe të normalizohen marrëdhëniet dhe të nënshkruhen dhe zbatohen ato 33
marrëveshje”.

“Kurti është mjaft serioz në dialog dhe e ka vënë në disa parime dialogun dhe e ka ngritur nivelin e dialogimit. E ka bërë në një masë të plotë. Edhe kjo Qeveri po dialogon për çështje të brendshme dhe ka bërë një marrëveshje tani që është kompromis madje që nuk është dashur të bëhet sa i përket marrëveshjes së energjisë. Por janë marrëveshje të nënshkruara më herët dhe e obligojnë këtë qeveri të nxirret nga disa kushtëzime por nuk po mund të dalë nga ajo vorbulle që e kanë futur qeveritë e mëhershme. Kurti as nuk duhet as nuk ka mandat të bëjë kompromise të mëtejme. Asociacion i nuk do të duhej të pranohej nëse Serbia nuk e bënë të njëjtën gjë për shqiptaret e Preshevës”, tha Baraliu.

You may also like