Ambasada e SHBA në mbështetje të hartës së re gjyqësore

by admin
Spread the love

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës shprehet se mbështet hartën e re gjyqësore të propozuar nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Ministria e Drejtësisë.

Selia diplomatike amerikane në vendin tonë premton mbështetje teknike për këtë proces që do të ndihmojë në uljen e çështjeve të prapambetura.

“Plotësimi i hapësirave të krijuara nga vettingu është një hap tjetër i nevojshëm në procesin e reformës në drejtësi dhe duhet të jetë prioritet. Ambasada Amerikane mbështet fuqimisht miratimin e një harte të re gjyqësore për të riorganizuar sistemin gjyqësor dhe për të adresuar vendet vakante gjyqësore që erdhën si rezultat i procesi të nevojshëm për Shqipërinë të vetingut. Ambasada Amerikane ka kënaqësinë të sigurojë mbështetje teknike për këtë proces të rëndësishëm përmes projektit tonë për zvogëlimin e numrit të çështjeve të prapambetura dhe përmirësimin e efikasitetit në Gjykatën e Lartë të Shqipërisë, të financuar nga Byroja e Departamentit të Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit”, shkruhet mes të tjerash në njoftimin e ambasadës.

Sipas të dhënave, harta e re gjyqësore parashikon mbylljen e 19 gjykatave në të gjithë vendin. Vettingu ka larguar shumë gjyqtarë e prokurorë nga sistemi dhe në shumë prej këtyre institucioneve ka një numër shumë të vogël punonjësish.

Sipas ndryshimeve në hartë,  nga 22 gjykata të rretheve gjyqësore shumë shpejt do të kemi vetëm 12 dhe nga 6 gjykata administrative të shkallës së parë do të mbesin vetëm 2 të tilla. Ndërsa risi është se nuk do të ketë gjykata Apeli në rrethe, por do të jetë një vetëm në Tiranë ku do të bëhen ankesa nga të gjitha qarqet.

You may also like