Ambasada e Maqedonisë në Kazakistan: Qytetarët tanë janë mirë dhe në vende të sigurta

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Ambasadori i Maqedonisë së Veriut në Kazakistan, Sali Limani në një prononcim për Alsat ka deklaruar se të gjithë shtetasit tanë të cilët për momentin ndodhen në Nur-Sulltan, Almati ose qytetet tjera ku ditëve të fundit ka pasur trazira, janë mirë dhe të sigurt. Limani ka shtuar se në 2 ditët e fundit është mbajtur kontakt i rregullt mes përfaqësisë diplomatike në Nur-Sulltan dhe qytetarëve.

“Janë të gjithë mirë dhe në vende të sigurta. Kemi kontaktuar për të paktën dy herë në ditë gjatë ditëve sa ka pasur trazira në Kazakistan, përkatësisht në Almati. Ambasada ka kontaktuar edhe familjet e tyre në Maqedoni të Veriut gjatë kohës kur ata nuk kanë mundur të krijojnë kontakt me të afërmit e tyre në Kazakistan për shkak të reduktimeve që kishe me internetin”
, deklaroi Sali Limani, Ambasador i RMV-s n Kazakistan.

Jo zyrtarisht mësohet se në Kazakistan për momentin ndodhen rreth 30 shtetas të Maqedonisë së Veriut, numër në të cilin përfshihet edhe ekipi diplomatik i ambasadës. Nga Ministria e Jashtme thonë se dy qytetarë kanë kërkuar ndihmë, ndërsa rekomandimet për të mos lëshuar adresuat ku janë akomoduar duhet respektuar deri në përmirësimin e situatës.

“Deri më tani Ambasadës sonë i janë drejtuar vetëm dy shtetas tanë, për gjëra të vogla, kërkesës së të cilëve iu është përgjigjur menjëherë; por asnjë nga personat nuk është në gjendje të rrezikuar. Mbeten në fuqi rekomandimet drejtuar qytetarëve të Maqedonisë së Veriut që të mos udhëtojnë në Kazakistan, ndërsa ata që aktualisht ndodhen në vend të mos i lënë objektet ku ndodhen dhe të shmangin tubimet në vende publike për shkak të përkeqësimit të situatës së sigurisë. Gjithashtu, ju njoftojmë se stafi diplomatik në Ambasadën tonë në Nur-Sulltan nuk është i rrezikuar”, thonë nga Ministria e Punëve të Jashtme.

Në qytetet e mëdha si Nur-Sulltan, Almati dhe Shimkent janë ndërprerë lidhjet telefonike dhe të internetit me qëllim neutralizimin e situatës. Familjarët e shtetasve nga Maqedonia e Veriut nuk kanë arritur të bien në kontakt me të afërmit e tyre, por nga ambasada thonë se kanë qëndruar në komunikim të vazhdueshëm dhe se së shpejti pritet edhe kthimi i linjave të rregullta. Përveç nga Maqedonia e Veriut, në Kazakistan aktualisht ka edhe shtetas nga Kosova, Shqipëria dhe Serbia.

You may also like