AlternAtivA: E dënojmë dhunën ndaj institucioneve shtetërore dhe gjuhën e urrejtjes

by admin
Spread the love

Alternativa sot përmes një kumtese ka dënuar ashpër dhunën e mbrëmshme në protestën para Kuvendit.

Ja reagimi i plotë i Alternativës:

Pas protestave të mbrëmshme të një grupi qytetarësh, me ç’rast mbetën të lënduar mbi 40 policë, u dëmtua prona publike shtetërore, ndërsa pati edhe thirrje albanofobe ose antishqiptare, AlternAtivA e gjykon këtë veprim si akt joqytetërues e barbar dhe bën thirrje për qetësi dhe maturi. Dhuna ndaj organeve të rendit dhe institucioneve shtetërore është mënyra më e mirë për ta dëmtuar vetë shtetin, ndërsa gjuha ksenofobike është mënyra më e keqe për të komunikuar me bashkëqytetarët shqiptarë në shtetin e përbashkët.

Protesta, si e drejtë themelore e shprehjes publike të qëndrimit të qytetarëve, mbi të gjitha është një organizim paqësor që nuk e rrezikon jetën dhe pronën e askujt, e aq më pak të personit zyrtar, por që nuk i dëmton as organet e rendit dhe institucionet shtetërore dhe që nuk ndjell e nuk mbjell urrejtje e fobie ndaj askujt.

Sidoqoftë, në ditët kur ne si shtet presim fillimin e bisedimeve të shumëpritura me Bashkimin Europian, pamjet e këtilla në kryeqytet e dëmtojnë rëndë imazhin tonë si vend dhe dëshmojnë për papjekuri politike ose, aq më keq, për instrumentalizim të strukturave të caktuara shoqërore për agjenda antieuropiane.

Prandaj, AlternAtivA – duke e dënuar dhunën dhe ksenofobinë si mjet të komunikimit publik – edhe një herë bën thirrje për maturi nga të gjithë qytetarët e vendit dhe organizatat e ndryshme politike e joqeveritare që ta kenë parasysh se zjarri që duan ta ndezin, gjoja për ta shpëtuar atdheun, mund të jetë flakë që mund ta dëshirojnë më së shumti kundërshtarët e perspektivës shtetformuese dhe integruese të Maqedonisë së Veriut.

 

AlternAtivA – Shkup

Shkup, 06.07.2022

You may also like