Alphabet humbet fitime dhe të ardhura në tremujorin e dytë

by admin
Spread the love

Fitimi i shoqërisë për aksion ishte 1,21 dollarë kundrejt 1,28 dollarë që priteshin

Aksionet u rritën më shumë se 4% në tregtimin e zgjatur.

Më poshtë, shifrat e raportuara të kompanisë

Fitimi për aksion (EPS) – 1,21 dollarë kundrejt 1,28 dollarë të pritshëm, sipas Refinitiv
Të ardhurat – 69,69 miliardë dollarë kundrejt 69,9 miliardë dollarë të pritshëm, sipas Refinitiv
Të ardhurat nga reklamat të YouTube – 7,34 miliardë dollari kundrejt 7,52 miliardë dollarë të pritshëm, sipas StreetAccount
Të ardhurat nga Google Cloud – 6,28 miliardë dollarë kundrejt 6,41 miliardë të pritshëm, sipas StreetAccount.
Kostot e blerjes së trafikut (TAC) -12,21 miliardë dollarë kundrejt 12,41 miliardë të pritshëm, sipas StreetAccount.

Rritja e të ardhurave është ngadalësuar me 13% në tremujorin e dytë krahasuar me 62% të një viti më parë, kur kompania po përfitonte nga rihapja post-pandemi dhe shpenzimet e konsumatorëve ishin në rritje.

Oscilacionet në kursin e këmbimit për shkak të forcimit të dollarit reduktuan me 3.7 pikë përqindje rritjen e të ardhurave, deklaroi drejtori financiar Ruth Porat për CNBC. Porat deklaroi se fuqia e dollarit do të godasë edhe më shumë rezultatet në tremujorin e ardhshëm.

Të ardhurat nga reklamat u rritën me vetëm 12%, duke arritur 56.3 miliardë dollarë, pasi operatorët e marketingut reduktuan shpenzimet për të menaxhuar presionet e inflacionit. Ngadalësimi më i dukshëm ishte në divizionin e YouTube, ku shitjet u rritën me vetëm 5% pas rritjes me 84% në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përveç rënies së përgjithshme të shpenzimeve publicitare, YouTube po përballet edhe me rritjen e konkurrencës së TikTok, në videot me kohëzgjatje të shkurtër.

Raporti vjen pak ditë pasi Snap njoftoi rezultate tremujore katastrofike dhe deklaroi se do të ngadalësojë punësimet e reja pasi “perspektiva e largët mbetet tepër sfiduese”. Në ndryshim nga Snap, aksionet e Alphabet u rritën lehtë pas publikimit të të dhënave, mbase sepse investitorët prisnin rezultate më shqetësuese.

Të ardhurat e Google në sektorin e Kërkimit dhe të Tjera ishin 40,69 miliardë dollarë, në rritje krahasuar me 35.85 miliardë të vitit të mëparshëm. Rritja u nxit nga (query) kërkimet për udhëtime dhe shitje me pakicë – deklaroi Philipp Schindler, chief business officer i Google.

Të ardhurat në segmentin Other Bets të Alphabet, që përfshin njësinë e makinave me vetëdrejtim Waymo, disa projekte health-tech dhe aktivitete sipërmarrëse të kompanisë, u rritën me 1 milion dollarë krahasuar me një vit më parë, duke arritur 193 milionë dollarë. Në tremujor humbi 1.69 miliardë dollarë.

Google Cloud, i cili nuk i është përgjigjur pritshmërive të qarkullimit, humbi 858 milionë dollarë në tremujor. Divizioni cloud po përpiqet t’i marrë pjesë tregu Amazon Web Services e Microsoft Azure, dy aktorë kryesorë në treg. Të martën, Microsoft deklaroi se të ardhurat e Azure dhe shërbimeve të tjera cloud u rritën me 40% në të njëjtën periudhë.

Alphabet deklaroi se numri i punonjësve u rrit me 21% në 174.014 punonjës me kohë të plotë krahasuar me 144.056 një vit më parë. Megjithatë, muajin e kaluar kompania deklaroi se do të ngadalësojë ritmin e punësimeve dhe investimeve deri në vitin 2023 dhe CEO Sundar Pichai u shkroi punonjësve në një email se “nuk jemi imunë ndaj erërave të kundërta të ekonomisë”

Kompania parashikon se këto sfida do të vijojnë deri në fund të vitit 2022.

/ CNBC

You may also like