Albina Kelmendi: Ndjenjë e veçantë kur publiku në Liverpool po dëgjohet duke kënduar shqip (VIDEO)

by admin
Spread the love

Shqipëria këtë edicion të Eurovizionit po përfaqësohet nga Albina Kelmendi bashkë me familjen e saj, ku kënga “Duaje” në gjuhën shqipe tashmë është në finale.

Në lidhje me këtë, këngëtarja Albina Kelmendi tha se e veçanta në skenën e Liverpoolit është se po këndohet shqip.

“E veçanta në skenën e Liverpoolit është se po këndohet shqip dhe po përfaqësohet në mënyrën më të mirë me atë që e meritojnë të gjithë shqiptarët, e kjo është ndjenja më e mirë, e sidomos kur po dëgjohet publiku duke kënduar shqip”, tha Kelmendi në “Edicioni Special” në Shqip.

Tutje, ajo tha se këngën “Duaje” vendosën që ta këndojnë në shqip, pasi sipas saj, secili shtet duhet ta përfaqësojë kombin dhe gjuhen e vet.

“Ne kemi ardhur me një mesazh të rëndësishëm, dhe as s’kemi pasur mundësi të mendojmë ta përkthejmë tekstin në gjuhë tjetër sepse kjo këngë më së bukur tingëllon në gjuhen e vet, gjuhen shqipe”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.

Kelmendi foli edhe për përshtypjet e këngëtarëve të tjerë në Eurovizion, ku tha se fakti që janë si familje, po i bën shumë përshtypje.

“Përshtypjet e këngëtarëve të tjerë për këngën tonë janë shumë të mira. Iu bënë shumë përshtypje fakti që jemi si familje, s’iu besohet dhe gjithë kohës kemi pyetje se a janë prindërit, motrat e vëllai”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.

You may also like