Aktakuzë ndaj dy zyrtarëve se shitën KF “Dardana” me dokument të falsifikuar

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Gjilan – Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj ish-drejtorit të Klubit Futbollistik (KF) “Dardana”, Sevdai Kastrati dhe ish-drejtorit sportiv të këtij klubi, Habib Leci, duke i akuzuar ata se në dhjetor të vitit të kaluar me dokument të falsifikuar këtë klub ia shitën Klubit Futbollistik “Vushtrria”.

Aktakuza në fjalë, e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, është ngritur më 19 nëntor të këtij viti.

Kjo aktakuzë bashkë me shkresat e tjera në lëndën përkatëse është dorëzuar në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë dhe në punë i është ndarë gjykatësit të kësaj gjykate, Sadri Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka ngritur aktakuzë ndaj Sevdai Kastratit dhe Habib Lecit, me arsyetimin më 20 dhjetor të vitit të kaluar në Kamenicë, kanë përpiluar dokument të falsifikuar duke e përdorë procesverbalin e 20 dhjetorit 2020, me ç’rast fillimisht e shndërrojnë Klubin Futbollistik “Dardana” nga Organizata Joqeveritare në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar, e me pas këtë klub ia shesin Klubit Futbollistik “Vushtrria”.

Sipas prokurorisë, edhe përkundër faktit se nga viti 2016 nuk është mbajtur asnjë kuvend i klubit, dy të akuzuarit përpilojnë dokument të falsifikuar dhe me dije e përdorin listën me nënshkrime të marrë nga dosja e klubit, ia bashkëngjitin procesverbalit kinse më 20 dhjetor 2020 është mbajtur kuvendi i klubit, dhe në atë kuvend anëtarët e klubit janë pajtuar për shndërrimin e klubit nga OJQ në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar.

Me këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”, nga neni 390, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose burgim deri në katër vjet. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë. 

You may also like