“Akademia e barinjve”, Artan Fuga shpërthen ndaj Ministres së Bujqësisë: Tmerr çfarë shkatërrimi, si një bajgë mbi trotuar

by admin
Spread the love

Akademiku Artan Fuga, ka reaguar lidhur me deklaratën e Ministres së Bujqësisë, ku u shpreh se do hapej “akademia e barinjve”. Studiuesi ka shpërthyer ndaj Ministres, duke e krahasuar deklaratën e saj me një bajgë.

Nga Artan Fuga :

Një përrallë e kecave dhe ujkut! Eshtë bërë problem një fjali fluturake që një gocë bjonde, që më thonë se është ministrja e bujqësisë, deklaroi në komisionin e Kuvendit për krijim të akademive për blegtorë!
Ishte një fjali e nxjerrë pa pikë shijeje komunikative sa ngjante si një bajgë mbi trotuar.

Unë e kuptoj pjesën e reagimit qytetar që tallen me të! Ajo nuk ka faj e shkreta. Ka 30 vjet që bujqësia shqiptare është në ditë të hallit. Shkatërruar nga qeveri dhe ministra bujqësie njëri pas tjetrit. Me rendimentet e Themie Thomait rendimentet e sotme as te thëmbra nuk u vijnë.

Tmerr çfarë shkatërrimi! Shkatërrim me ligjin 7501 që e parcelizoi tokën, shkatërrim sepse nuk ekziston tregu i tokës bujqësore, sepse kjo dhe sepse ajo, kush po i rithotë të gjitha. Bujqësinë sot e shpartallon grosisti me mallin nga importi, doganieri i k*orruptuar dhe politikani që ushqehete nga të gjithë këta! Tamam siç e përshkruan Rikardo për Anglinë e tre shekujve më parë.

Por, në të gjithë Evropën sot nga ana tjetër bëhet cmos që të rinjve t’u mësohen zanate bujqësore, blegtorale për t’i rilidh me tokën! Sepse të mbash lopë nuk do të thotë të jesh ruajtës i lopës buzë rrugës si te filmat e Fernandelit me lopën Margaritë. Nuk do të thotë të jesh kullotësh dhish, apo të mbash dy dele te hauri i viçave.

Një mbarështrues lopësh, delesh, dhish, kuajsh, etj., sot kërkon shkollim, kulturë, zanat nëse do rendimente. Ndryshe bëhu bari dhish që me kërrabën në sup i bie cules dhe zihesh me ariun dhe ujkun që shqyen kecat.
Ndryshe rrimë me rendimentet e fiseve të gurit, apo të Mesjetës, apo botës parafshatare.

Prandaj nuk është problemi që ajo zonja bjonde dëshiron t’i bëjë akademitë. Kujdes “akademi” sipas ligjit është shkollë parauniversitare dyvjeçare, por problemi është se ajo nuk ka për t’i bërë ato. Reagimet anti shkollim për bujq, blegtorë, marangozë, hidraulikë, elektricistë, janë keqkuptime që vijnë nga një propagandë antipunë që reklamat televizive përhapiin në mendjet tona. Zgjohuni!

Me t’u prish lavatriçja harroje se gjen riparues. Duhet të shkosh të blesh të re! Me t’u prish këpuca, blej të reja se këpucar nuk gjen dot! Gjithçka për të privilegjuar grosistin që sjell mall importi. Këto mendësi na kanë shkatërruar! Vazhdoni talluni tani në vend t’i thoni bjondes: Pa të shohim çfarë do bësh!

You may also like