Ahmeti: Izet Mexhiti nuk ishte prezent në seancën për votimin e Qeverisë për arsye private

by admin
Spread the love
1a7253ebfd94147be1a9016b1f9dc492.jpeg

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka thënë se nënkryetari dhe deputeti i kësaj partie, Izet Mexhiti, nuk ka qenë prezent në seancën për votimin e qeverisë ditën e diel për shkak të obligimeve private, shkruan gazeta LAJM.

“Nuk kam ardhur këtu për të bërë komente. Izeti ka pasur punë private. Ka qenë në seancë është hapur rendi i ditës, ka pasur ca punë private dhe me dakordësi ka vazhduar për punët e tija sepse numrat kanë mjaftuar”, ka thënë kryetari I BDI-së, Ali Ahmeti i pyetur nga Gazeta LAJM.

Një ditë më parë, Izet Mexhiti, tha se e ka njoftuar dy javë më parë kryetarin e BDI-së, Ali Ahmetin, se nuk do ta votojë Qeverinë e re të drejtuar nga Dimitar Kovaçevski. Në një prononcim me shkrim për gazetën LAJM, Mexhiti, tha se arsyet janë publike dhe se kanë të bëjnë më ekzekutivin e BDI-së.

“Kryetarin e kam njoftuar dy javë para seancës. Argumentet veçmë dihen, janë publike një kohë të gjatë dhe adresohen për ekzekutivin e BDI-së”, u shpreh Mexhiti për gazetën LAJM.

Më tej, Mexhiti ka njoftuar se së shpejti pritet të nisin procedurat për konstituimin e organeve të reja partiake.

“Për organet partiake, së shpejti pritet të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm, ku do të vendoset mbi dinamiken e procesit për konstituimin e organeve te reja legjitime”, tha Izet Mexhiti për gazetën LAJM.

Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2020 dhe formimit të Qeverisë “Zaev 2”, Mexhiti ka shprehur hapur pakënaqësinë ndaj përzgjedhjes së përfaqësuesve të partisë së tij në ekzekutiv.

Qeveria e re u votua nga 62 deputetë, ndërsa, siç dihet, shumica e re parlamentare ka 64 deputetë. Izet Mexhiti nga BDI-ja dhe Lolita Ristova nga LSDM-ja ishin dy deputetët e mazhorancës që nuk votuan Qeverinë e Dimitar Kovaçevskit.

You may also like