Agjencia e OKB-së thotë se Irani po vazhdon me pasurimin e uraniumit

by admin
Spread the love

Irani ka pasuruar uranium deri në 60 për qind pastërti.

Ky nivel i pastërtisë është i afërt me atë që kërkohet për krijimin e tri bombave bërthamore, tha Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore. Teherani ende po vazhdon të pengojë punën e kësaj agjencie të Kombeve të Bashkuara, u tha në një raport të agjencisë.

Stoqet e Iranit me uranium të pasuruar deri në 60 për qind janë rritur nga 6.7 kilogramë në 128.3 kilogramë që nga raporti i fundit më 4 shtator, u tha në raportin konfidencial të cilin e ka parë Reuters. Kjo është sasi trefish më e lartë sesa 42 kilogramë që sipas Agjencisë Ndërkombëtare për Energji Bërthamore në teori janë të mjaftueshme, nëse pasurohen më tej, për krijimin e një bombe bërthamore.

Në raport, agjencia tha se ende nuk ka asnjë përparim sa i përket dy çështjeve urgjente: lejimi i riinstalimit të më shumë pajisjeve monitoruese pasi ato u larguan nga Teherani vitin e kaluar dhe marrja e përgjigjeve lidhur me origjinën e copëzave të uraniumit që janë gjetur në dy vende të padeklaruara bërthamore.

Kjo është hera e dytë që në raportet e kësaj agjencie të OKB-së thuhet se nuk ka pasur asnjë përparim në asnjërën prej këtyre çështjeve.

Po ashtu, Agjencia Ndërkombëtare për Energji Bërthamore tha se nuk ka arritur që të bindë Iranin të heqë ndalesat që Irani u vendosi në shtator disa inspektorëve të agjencisë. Kjo ndalesë u pamundëson inspektorëve që të kryejnë punën e tyre në Iran.

Fuqitë botërore dhe Irani më 2015 arritën një marrëveshje bërthamore e cila parashihte lehtësimin e sanksioneve ndërkombëtare në këmbim të frenimit të programit bërthamor të Teheranit.

Por, Shtetet e Bashkuara më 2018 u tërhoqën nga marrëveshja dhe Irani më pas nisi të mos zbatonte kushtet e përcaktuara në marrëveshje.

Irani insiston se nuk po kërkon që të krijojë armë bërthamore, duke theksuar se programi i tij bërthamor ka qëllime civile. /REL


Top Channel

You may also like