Administrata Biden i hap ‘luftë’ duhanit/ Rregullat e reja reduktojnë nikotinën në nivele “jo-varësie” (fotot)

by admin
Spread the love

Administrata në pushtet në SHBA po shtyn përpara politikat që detyrojnë kompanitë të reduktojnë nivelin e nikotinës së cigareve të shitura në vend.

Ato thonë se nivelet e nikotinës do të reduktohen në nivele “jo-varësie”, pa qartësuar se cilat janë efektet e supozuara që masa e re kërkon të luftojë.

Masa do të duhet ende disa vjet që të hyjë në fuqi por gjithsesi do të trazojë ndjeshem industrinë gjigante të duhanit.

Sipas britanikes Daily Mail, fillimisht Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Mjekimeve duhet të bëjë propozimin zyrtar të rregullave të reja dhe të presë komente nga publiku.

Më pas duhet të publikohen rregullat finale.

Në këtë pikë kompanitë e duhanit do të grejnë padi me qëllim të shtyjnë sa të munden zbatimin e politikave  shkruan rrjeti amerikan Wall Street Journal.

Nisma duket se është pjesë e një nisme të President Biden “kundër kancerit”, që do të ishte iniciativa më e ashpër kundër duhanpirjes që prej vitit 1998 kur kompanitë e duhanit u detyruan të paguanin $200 miliardë në kosto shëndetësore ndaj shteteve të SHBA.

Por megjithse nikotina krijon varësi ndaj cigareve apo duhanit, vetë kimikati nuk shkakton kancer, sëmundje të zemrës apo mushkërive.

SHBA llogarit se ka rreth 30.8 milionë duhanpirës në vend, pra rreth 12.5% e popullsisë. Shifra është rritur disi gjatë izolimeve të pandemisë së 2020.

Masa e nikotinës në cigaret mund të reduktohet me metoda të ndryshme si përshtatja në tipet e ndryshme të fletëve të duhanit ose duke përdorur tipe të ndryshme filtrash.

Një nga kompanitë e mëdha thotë se mund të reduktojë masën e nikotinës me anë të modifikimit gjenetik  deri në 95%.

Reduktimi i nikotinës në cigaret ishte ndjekur edhe nga administrata Trump në 2017 por më vonë planet duket se humbën interes.

Ekspertët thonë se reduktimi i nikotinës mund të bëjë që rreth 5 milionë duhanpirës të heqin dorë nga vesi brenda një viti, nëse zbatohet.