Adelina Ismaili së bashku me motrat nuk paraqiten në gjykatë për të dëshmuar në gjykimin ndaj Enver Sekiraqës – Shqip

by admin
Spread the love

Në rigjykimin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, në seancën e së mërkurës ka qenë e planifikuar që në cilësinë e dëshmitares të dëgjohet Adelina Ismaili, por ajo nuk është paraqitur, raporton Betimi për Drejtësi.

Kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Shashivar Hoti, fillimisht ka konstatuar mungesën e dëshmitares Adelina Ismaili dhe ka thënë se asaj i është dorëzuar një ftesë për këtë gjykim, por nga shpërndarësit e postës ka marrë konfirmimin se kjo e fundit nuk banon në adresën e mëparshme, transmeton lajmi.net.

Gjithashtu, gjykatësi Hoti deklaroi se për dëshmitaren Ismaili kishte lëshuar edhe urdhëresë për verifikim adrese dhe ka rezultuar se ajo nuk ka adresë të re të evidentuar dhe numrat e telefonit që ajo i ka përdorur nuk janë valid.

Prokurori i rastit Haki Gecaj, tha se meqë ka vështirësi në sigurimin e adresës së dëshmitares në fjalë dhe marrë parasysh faktin që ajo ka dhënë deklarata në faza të mëhershme në këtë çështje penale, si në polici, prokurori e po ashtu edhe në gjykimin e mëparshëm të zhvilluar nga EULEX-i, duke propozuar që deklarimet e tilla të konsiderohen si të lexuara.

Një propozim i tillë, nuk u kundërshtua as nga mbrojtësja e të akuzuarit Enver Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi, e cila ka deklaruar se pajtohet që të lexohen deklarimet e dëshmitares Ismajli të dhëna në shqyrtimin e kaluar gjyqësor me arsyetimin se gjatë atij gjykimi të zhvilluar nga EULEX-i, dëshmitarja në fjalë është sqaruar edhe për deklaratat e dhëna në fazat e mëhershme.

Po ashtu, avokatja Kelmendi ka kërkuar nga gjykata që gjatë leximit të deklaratave të kësaj dëshmitareje, trupi gjykues të ketë parasysh vetëm rrethanat që lidhen me pikën një të aktakuzës, pasi që sipas saj, për pikën dy të aktakuzës i mbrojturi i saj është liruar nga akuza.

Ndërsa, avokatja Kelmendi ka përsëritur vërejtjet e saj lidhur me dëgjimin e dëshmitarit Shpend Qerimi në këtë proces gjyqësor me arsyetimin se dëshmia e tij nuk mund të jetë objektive, madje as nën betim dhe se nuk ka fare relevancë në çështjen që është objekt shqyrtimi në këtë proces gjyqësor.

Ajo ka ritheksuar faktin se dëshmitari Qerimi, ngjashëm sikurse edhe dëshmitari Besnik Hasani, janë personat të cilët edhe kanë tentuar të vrasin të mbrojturin e saj dhe se kanë kryer veprën penale të njohur si shpërthimi në rrugën “Bill Klinton”, dhe sipas saj janë të dënuar për vrasje të pesëfishtë.

Ndërsa, seancat e radhës u caktuan të mbahen më 15 dhe 25 shkurt, duke filluar nga ora 09:00, ku pritet që në cilësinë e dëshmitarëve të dëgjohen Ema Ismajli, Zanfina Ismajli, Mehdi Bozhani.

Enver Sekiraqa ishte dënuar më 17 maj 2016 nga ana e Gjykatës Themelore në Prishtinë për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.

Gjykata e Apelit, më 24 tetor të vitit të kaluar, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.

Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.

Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqen dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.

Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.

Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur me 6 shtator të vitit të kaluar, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.

E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat tha se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.

Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.

Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqes për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.

Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Swiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.

Incidenti në “Swiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.

Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa me 37 vjet./Shqip/

You may also like