ACEA, tregu europian automobilistik do të tkurret me 1% në vitin 2022

by admin
Spread the love

Me tregun automobilistik në BE që pritet të tkurret këtë vit me më shumë se një të katërtën krahasuar me nivelet e parapandemisë në 2019-n, Shoqata Europiane e Prodhuesve të Automobilave
(European Automobile Manufacturers’ Association – ACEA) kërkon një kuadër politikash që t’i krijojë tregut mundësinë të rimëkëmbet dhe të kalojë tek emetimet zero.

“Për të garantuar rikthimin te rritja – me një pjesë edhe më të madhe shitjesh të automjeteve elektrike në mënyrë që të arrihen objektivat klimatike – kemi nevojë urgjente për të krijuar kushtet e duhura të kuadrit” – deklaroi presidenti i ACEA dhe CEO i BMW, Oliver Zipse, në një pritje dje në mbrëmje.

“Këto përfshijnë më shumë qëndrueshmëri në zinxhirët europianë të furnizimit, një ligj mbi lëndët e para thelbësore në BE që të sigurojë një qasje strategjike te lëndët e para të nevojshme për lëvizshmërinë elektrike dhe përshpejtim në përhapjen e infrastrukturave të rikarikimit.

Vitet e fundit janë shënjuar nga ngjarje të rëndësishme si Brexit, pandemia e koronavirusit, vështirësitë në furnizimin me gjysmëpërcjellës dhe lufta në Ukrainë, me pasojat e saj te çmimet dhe energjia” – vijoi Zipse.

“Të gjithë këto elemente theksojnë shpejtësinë, thellësinë dhe paparashikueshmërinë se si po ndryshon bota jonë. Kjo vlen edhe për kontekstin politik, ku ka pasoja të drejtpërdrejta për industrinë tonë të ndërlidhur globalisht dhe zinxhirët e saj të ngushtë të vlerave.”

Ndikimi i këtyre sfidave reflektohet në të dhënat e fundit mbi shitjet e makinave në BE. Në 8 muaj nga fillimi i vitit 2022, vëllimet e përgjithshme u tkurrën me thuajse 12%, duke arritur rreth 6 milionë automjete të reja të shitura. Deri tani, tregu ka qenë i kufizuar vetëm nga pikëpamja e ofertës, ndërkohë që mungesa e vazhdueshme e komponentëve ka kufizuar vëllimet e prodhimit.

Megjithatë, kërkesa mund të ngadalësohet në muajt e ardhshëm, për shkak të inflacionit dhe frikërave për recesion.
Duke marrë në konsideratë gjithë këta faktorë, ACEA rishikoi parashikimin e parë, sipas të cilit tregu automobilistik do t’i rikthehej rritjes në vitin 2022.

ACEA parashikon se këtë vit, tregu do të tkurret sërish, me rënie 1% në 9.6 milionë njësi. Krahasuar me të dhënat e parapandemisë në 2019, kjo përfaqëson rënie me 26% të shitjeve të automjeteve në harkun e vetëm 3 vjetëve.

“Pavarësisht tkurrjes së tregut dhe presionit që ushtron inflacioni dhe kostot energjetike, industria automobilistike vijon të investojë në kërkimin dhe zhvillimin e aftësive dhe teknologjive që udhëheqin tranzicionin e gjelbër dhe dixhital” – shpjegoi drejtori i përgjithshëm i ACEA, Sigrid de Vries.

“Transformimi kaq i gjerë mund të realizohet me sukses vetëm nga një industri që do të mbetet konkurruese edhe në të ardhmen. Kjo varet dhe nga kushtet e duhura politike të përgjithshme” – shtoi de Vries.

/ ACEA


Monitor sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

You may also like